Kryeministri Edi Rama siguroi sot se me rrugën Milot-Fier, ndodh një transformim kolosal në çdo aspekt, por veçanërisht në sigurinë rrugore.
“Nëse do të shohim bilancin e vdekjeve dhe plagosjeve të të gjitha viteve në segmentin Milot-Tiranë është për të vënë duart në kokë. Është bilanc lufte. Përtej uljes së numrit të aksidenteve që ka ardhur gradualisht gjatë këtyre viteve të qeverisjes sonë, dhe ky është fakt jo opinion, përsëri kemi një nivel të papranueshëm aksidentesh”, tha Rama.
Ai garantoi se “kjo do të jetë një rrugë me standarde europiane, jo me fjalë, por në rrugë”. “Sigurisht do të jetë një rrugë me pagesë dhe një aks që do të garantojë edhe qarkullimin pa pagesë por me shpejtësi dhe kushte të ndryshme”, tha ai.
“Me këtë investim nga Morina në Fier do të shkohet për 3 orë dhe aksesi i të gjithë turistëve që vijnë nga Kosova në bregun e Jonit jo vetëm që do të jetë shumë më i shpejtë, por do të jetë edhe shumë më i sigurt. Sikundër është sot shumë i sigurt aksesi nga kufiri deri ku rruga e Kombit lidhet me pjesën tjetër të rrjetit që me këtë ndërhyrje do të ngrihet në cilësi”, tha Rama.