“Paga e luftës” dhe bonusi prej 40 mijë lekësh u shpërnda si ndihmë financiare nga qeveria për rreth 250 mijë punonjës në të gjitha kategoritë e biznesit, të cilat u mbyllën ose aktiviteti i tyre u reduktua për shkak të kufizimeve të vendosura.
Adriatik Mera është një nga të vetëpunësuarit e shumtë që e kanë përfituar “pagën e luftës” prej 26 mijë lekësh në muaj, për një periudhë tre mujore.
Adriatiku ka një dyqan syzesh optike dhe dielli në qendër të Tiranës. Në një bashkëbisedim me ATSH-në, Adriatiku shprehet se është i vetëpunësuar në dyqanin e tij prej rreth 10 vitesh, ndërsa ka edhe një punonjës.
“Është një biznes familjar. Në këtë biznes jam i vetëpunësuar, por kam edhe një punonjës tjetër”, tregon Adriatiku.
Adriatiku shprehet se për të përfituar pagën e luftës gjatë kohës së pandemisë kishte aplikuar online në formularin e paraqitur nga Administrata Tatimore për vete si dhe punonjësin e tij. Ai i vlerëson si të thjeshta procedurat që duhet të ndiqte për aplikim pranë Administratës Tatimore.
Për pak ditë, thotë Adriatiku, përmes një mesazhi nga Administrata Tatimore ishte njoftuar se kërkesa ishte aprovuar.
Për Adriatikun kjo ishte një mbështetje nga qeveria, pasi ndjehej keq edhe për punonjësen e tij që nëse nuk do të merrte mbështetjen nga qeveria do ta kishte të pamundur ta paguante dhe ta mbante në punë.
Qeveria, në planin e saj financiar për të përballuar situatën, parashikoi mbështetje direkte për biznesin e vogël, me qarkullim deri në 14 milionë lekë, përmes dhënies së një page minimale prej 26 mijë lekë (e ashtuquajtur paga e luftës), ndërsa biznesi i madh mund të përfitonte nga një fond garancie prej 100 milionë eurosh.
Ndërsa përmes paketës së zgjeruar iu ofrua ndihmë të punësuarve në bizneset e mëdha dhe të vogla, aktiviteti i të cilave është dëmtuar nga masat shtrënguese kundër koronavirusit. Kishin të drejtën për të aplikuar për pagën prej 40 mijë lekësh, të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore mbi katërmbëdhjetë milionë lekë, të mbyllura sipas urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në datën e hyrjes në fuqi të urdhrave.
Edhe të punësuarit e subjekteve të lejuara për të ushtruar aktivitet, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të urdhrit/ave të MSHMS, deri në datën 10 prill 2020. Po ashtu u miratua një tjetër garanci sovrane prej 15 miliardë lekësh, e cila shkon për kapital qarkullues e investime për bizneset në të gjitha fushat, për të akomoduar pas COVID-19 nevojat e tyre. Gjithashtu, qeveria dyfishoi pagesën për ndihmën ekonomik dhe pagesën e papunësisë.
Ndërkaq, qeveria është gati të vërë në lëvizje planin kombëtar “Shqipëria 2030”, për rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik e social të vendit.