Shtetasit e huaj që hyjnë në Turqi do të plotësojnë një formular për COVID-19 dhe do të testohen për temperaturën. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njoftoi sot mbi masat e reja lidhur me hyrjen dhe udhëtimin në Turqi të shtetasve të huaj gjatë situatës së pandemisë. “Kompanitë ajrore civile do të vazhdojnë në zbatojnë masat parandaluese gjatë fluturimeve dhe në aeroporte. Shtetasit e huaj do të plotësojnë një formular sapo të hyjnë në Turqi dhe do pajisen me informacione rreth COVID-19”, thekson MEPJ.

“Menjëherë pas hyrjes në Turqi, shtetasit e huaj do të testohen për temperaturën dhe nëse është e nevojshme do të karantinohen dhe dërgohen në spital për teste të mëtejshme. Nëse një shtetas rezulton pozitiv, edhe pasagjerët e tjerë do të kontaktohen për të kryer një sërë procedurash”, shton MEPJ. Gjithashtu nënvizon MEPJ, “mjetet e transportit me targa të huaja dhe me shtetas të huaj do të lejohen të shkojnë deri në destinacion, por nuk u lejohet të marrin pasagjerë të rinj pas ardhjes së tyre në kufijtë e Turqisë”. “Shtetasit e huaj të moshës mbi 65 vjeç nuk do të kenë nevojë të marrin një dokument për leje udhëtimi, për udhëtimet e tyre brenda Turqisë”, përfundon MEPJ.