Një foshnje në Kosovë, afro 20 ditë pas lindjes ka rezultuar e infektuar me koronavirus. Ky lajm është bërë me dije nga autoritetet shëndetësore. Sa i përket kësaj çështje, drejtori i Klinikës Neonatologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Xhevdet Gojnovci, është shprehur se foshnja është infektuar në shtëpi. “Foshnja është pranuar me datën 6 korrik në Klinikën e Neonatologjisë me temperaturë. Ka rezultuar pozitive me koronavirus. Aktualisht është nën kujdes intensiv në Klinikën Neonatologjike, nën mbikëqyrje të plotë, në hapësirën e ndarë vetëm për foshnjat me COVID-19.”- deklaroi Gojnovci.
Mediat raportojnë se foshnja ka lindur me datën 22 qershor të këtij viti, ndërsa sipas Gojnovcit edhe nëna e foshnjes është e infektuar me koronavirus, por ajo ndodhet e vetizoluar në shtëpi. Kujtojmë se edhe në muajin prill një foshnje pesë muajshe nga Kamenica është infektuar me Covid-19. Ndërkohë deri më tani në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 4,100 raste pozitive, ku prej tyre 86 pacientë kanë humbur jetën, ndërsa 2,063 janë shëruar totalisht, që prej 13 marsit kur u shënua rasti i parë me Covid-19 në vend.