Vera politike do të jetë e nxehtë, pavarësisht se u mendua se pas paktit të 5 Qershorit do të kishte një armëpushim për t’u rikthyer në vjeshtë me përgatitjet intensive për zgjedhjet parlamentare të 2021. Hapja e lojës me rimbledhjen e Këshillit Politik vendosi në lëvizje edhe njëherë të gjithë spektrin politik. Edi Rama ftoi Ilir Metën dhe Lulzim Bashën që t’i bashkohen tryezës ditën e hënë për të diskutuar për lisat dhe koalicionet që kundërshtojnë, por kryedemokrati e refuzoi duke i çuar Gazment Bardhin, ndërsa nuk dihet qëndrimi i Presidentit nëse do i përgjigjet ftesës.
Por cila është strategjia e opozitës? Në rrjetet sociale po qarkullon një foto e Presidentit me kryedemokratin Basha që shton akoma më shumë spekulimet për skenarin opozitar kundër kryeministrit Edi Rama. Fotoja është bërë një mëngjes herët në një shtëpi private, por nuk dihet nëse është në vilën e Presidentit në Gjirin e Lalzit, apo të liderit të PD-së, në ‘Long Hill’. Në foto të dy shfaqen të buzëqeshur, Meta shkrep selfien dhe Basha me dy gishtat lart me kafen përpara. Referuar situatës politike me zhvillimet e vrullshme, sipas të gjitha gjasave selfia e Presidentit me kryetarin e PD-së mund të jetë bërë 24 orë më parë, pasi Ilir Meta u shpreh dje se “Sot në mëngjes, pa gdhirë mirë, i kërkova takim z.Basha për të parë a ishte i hapur që listat dhe koalicionet të diskutoheshin në Këshillin Politik”. Nëse takimi është bërë ditën e djeshme, është i dyti brenda pak ditëve, pasi këtë javë të mërkurën e priti edhe në Presidencë duke trazuar akoma më shumë ujërat e asaj që po përgatisin Ilir Meta dhe Lulzim Basha, që Edi Rama i cilëson si opozita presidenciale dhe ajo jo parlamentare.