Deputeti i opozitës parlamentare Ralf Gjoni, nuk ka mundur që të jetë i pranishëm në seancën parlamentare për ndryshimet në Kushtetutë, pasi rezulton i infektuar me Covid19. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjoni shkruan se është totalisht pro ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë hapjen e listave zgjedhore. Ai ka shprehur mirënjohjen e tij për të gjithë kolegët deputetë që votuan pro ndryshimeve në Kushtetutë për reformën zgjedhore.

“Në pamundësi të dhimbshme për të votuar sot fizikisht në seancë plenare, vota ime, të paktën moralisht, është totalisht pro ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë hapjen e listave zgjedhore. Sot nuk është dita për protagonizëm. Ky është vetëm një hap pozitiv në drejtimin e duhur. Beteja vazhdon dhe i takon vetëm qytetarëve shqiptarë.
Hapat e tjerë? Ndryshim sistemi e depolitizim i numërimit të votës. Mirënjohje për të gjithë kolegët deputetë që votuan pro sot”, shkruan deputeti Ralf Gjoni.