Lionel Messi ka ndezur thashethemet e një largimi të mundshëm nga “Camp Nou”, kohët e fundit, por Giovanni van Bronckhorst nuk mund ta imagjinojë Barcelonën pa të. Ai shpreson të arrihet një marrëveshje, që e lejon yllin argjentinas ta mbyllë karrierën e jashtëzakonshme me të njëjtin klub, atë katalanas. Të tilla pritshmëri kanë të gjithë tifozët dhe mbështetësit e Blaugrana-ve, kur vjen fjala për gjashtë herë fituesin e “Topit të Artë”.

Messi, midis shqetësimeve në lidhje me mënyrën e drejtimit të klubit dhe problemeve të tjera, thuhet se ka ndërprerë bisedimet për zgjatjen e kontratës. Me marrëveshjen e tij të tanishme që skadon verën e vitit 2021, ekziston një kërcënim shumë real që futbollisti më i madh i të gjitha kohërave mund t’i thotë shumë shpejt lamtumirë futbollit spanjoll.

Ish-mbrojtësi i Blaugrana-ve, Van Bronckhorst, është në mesin e atyre që shpresojnë se Messi do ta mbyllë karrierën në “Camp Nou”. Holandezi tha për AFP: “Unë do të doja ta shikoja Messin pjesë të Barcelonës për tërë karrierën e tij. Ai është një nga pak lojtarët, që i qëndron besnik, gjatë gjithë karrierës, të njëjtit klub. Unë e admiroj si person dhe futbollist, shpresoj se do të qëndrojë te Barça. Kjo është ajo që unë do të doja të shihja. Në të kundërt, nuk e imaxhinoj dot Barcelonën pa Messin”.

Van Bronckhorst kaloi katër vite te Barça (2003-2007), me argjentinasin e ri, që filloi të përparojë gjatë asaj kohe: “E kam njohur që kur ishte 16 vjeç dhe tani është 33 vjeç. Ai është zhvilluar dhe bërë njeri e futbollist shumë i madh. Leo është familjar, e shoh më se të aftë të marrë vendimet e duhura. Ai do të vendosë vetë, por unë nuk mund ta imagjinoj Barcelonën pa të”.