OSBE ka “rr ëzuar” kërkesën e opozitës parlamentare për ndryshimin e sistemit, me anë të së cilit synohet hapja e listave. Këshilltari për reformën zgjedhore, njëkohësisht dhe përfaqësues i OSBE në Shqipëri, Florian Hobdari, ka vënë theksin se procesi për ndryshimin e sistemi zgjedhor duhet të nis një vit përpara zgjedhjeve, sipas të gjitha praktikave ndërkombëtare.

Pas ndryshimit të periudhës zgjedhore, si pasojë e dakordësisë së arritur mes palëve në Këshillin Politik (15 Prill-15 Maj dhe 15 Tetor – 15 Nëntor) , për OSBE-në, tashmë është vonë për të nisur diskutimet për këtë çështje, edhe pse është një nga kërkesat e panegociueshme të opozitës parlamentare. “Nëse një shtet pjesëmarrës i OSBE-së vendos të ndryshojë sistemin zgjedhor, ne mund të ofrojmë mbështetje për procesin nëpërmjet të cilit kryen këto ndryshime. Ky proces, sipas të gjitha praktikave më të mira ndërkombëtare dhe të theksuara me forcë nga Këshilli i Evropës duhet të nisë të paktën një vit përpara zgjedhjeve të radhës dhe duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent”, është shprehur Hobdari në mbledhjen e përbashkët të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.