Qeveria shqiptare duket e vendosur për të parandaluar përhapjen e pandemisë së Covid-19. Ditën e djeshme Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka shqyrtuar aktin normativ për një shtesë në ligjin për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë, ndërsa zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda e pranishme në mbledhje online theksoi se urgjenca për kalimin e këtij ligji qëndron në urgjencën që po kalon vendi në lidhje me pandeminë nga COVID-19. Në këtë kontekst, zonja Voda u shpreh e bindur se shtyrja e afatit të vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik, sipas saj, shmang grumbullimet dhe ndikon në zbatimin e masave anti-Covid-19.
“Siç e kemi parë është një epidemi, vala e së cilës vazhdon, mosha të prekura janë zakonisht mosha të treta, kjo mendoj se ishte një arsye urgjente për të sjellë këtë draftligj në formën e Aktit Normativ pranë Kuvendit të Shqipërisë. Në fakt në zbatim të vendimit të sipërpërmendur për të shmangur grumbullimet e shtetasve për marrjen e shërbimeve në sportelet e zyrave të aplikimit për karta identiteti, atëherë kjo ishte dhe arsyeja që ne menduam që të shtymë afatin për të gjithë ata që u skadon brenda vitit 2020.
Mendojmë se shmangia e grumbullimeve, radhëve apo dhe flukseve në fakt është patjetër një masë mbrojtëse që shkon në favor të situatës të krijuar nga epidemia. Unë mendoj se ky parashikim është një masë parandaluese mbrojtëse, por kryesisht për të ruajtur moshat e treta ata që janë më të prekur, që e kanë më të vështirë të lëvizin dhe për këtë arsye unë mendoj se ky projektligj, ky Akt Normativ do të ketë efekte në popullatën e vendit tonë. Kështu në thelb ky është qëllimi i këtij projektligji”, deklaroi Voda.
Më tej, komisioni vijoi me shqyrtimin e projektligjit: “Për një ndryshim në ligjin nr.46/2018 “Për kontrollin shtetëror ndërkombëtar të transferimeve të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”. I ftuar për të bërë një përmbledhje shpjeguese të përmbajtjes së projektaktit dhe arsyet që çuan në propozimin për ndryshime në ligj, ishte zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi.
“Në kuadër të reformave dhe të lehtësimit të aplikimit të operatorëve ekonomikë për marrjen e licencave/autorizimeve dhe certifikatave që lëshohen nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, si dhe duke eliminuar sa më shumë kontaktet midis punonjësve të administratës dhe subjekteve aplikuese, këto ndryshime bëhen për të eliminuar pengesat ligjore për aplikimin on-line, nëpërmjet krijimit ose përdorimit të platformave ekzistuese”, deklaroi Koçi.