Gjin Gjoni, një nga njerëzit më të përfolur për pasuri paradoksale, vendime të skandaloze dhe shorte të dyshimta në drejtësinë shqiptare, i cili i kërkoi Këshillit të Lartë Gjyqësor t’i miratojë me urgjencë dorëheqjen nga frika e përballjes me Vetingun, mund të kandidojë për t’u zgjedhur deputet i Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 2017. Strukturat e degës së Partisë Demokratike në Lezhë e kanë propozuar emrin e tij si kandidat për deputet. Propozimi përkon me një lëvizje taktike të Gjin Gjonit, i cili në 17 korrik 2020 ka firmosur dorëheqjen nga drejtësia, në prag të përballjes me Vetingun si dhe në përfundim të lejes dyvjeçare prindërore që i dha KLD në 2018, me në krye Ilir Metën.

Sipas burimeve, Gjin Gjoni është propozuar nga grupseksioni i PD së qytetit të Lezhës mes 125 kandidatëve për deputetë. Ndërkaq, mes emrave të propozuar edhe vëllai i Gjin Gjonit, Fran Gjoni. Mes emrave të tjerë të propozuar në Lezhë janë edhe Mark Marku dhe Agron Gjekmarkaj.

Tashmë lista e propozimeve nga të gjitha grupseksionet do t’i përcillet PD-së në qendër, për të bërë seleksionimet. Më pas lista me më pak kandidatë do t’i përcillet sërish bazës për të votuar kandidatët përfundimtarë për deputetë. Mbetet për t’u parë në fund të këtij procesi nëse emri i Gjin Gjonit do të zyrtarizohet si kandidat i Partisë Demokratike për deputet. Ish-kryeministri Berisha, në nëntor të 2015, e ka marrë publikisht në mbrojtje Gjin Gjonin. Duke debatuar me Saimir Tahirin, në atë kohë ministër i Brendshëm, Berisha thoshte: “Duhet të lash gojën kur përmend emrin e Gjin Gjonit. Gjin Gjoni pati kurajën t’i përgjigjet të gjitha akuzave dhe faktoi para ligjit se ato ishin shpifje të ulëta. Kurse t’i si mi fsheh pasurinë se ke frikë se atë pasuri do ta marrë përmbaruesi. Ti arreston si hienë përmbaruesin”.