Leroy Sane i ka falënderuar Manchester Cityn dhe Pep Guardiolën për gjithçka që kanë bërë për të, pasi e kompletoi transferimin e tij në Bayern Munich të enjten për 60 milionë euro.
Anësori 24-vjeçar, i cili i ka kaluar katër sezonet e fundit në Etihad me Manchester Cityn, ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me kampionin e Bundesligës, transmeton Gazeta Express. Ky transferim në Allianz Arena i Sanes është diskutuar që një kohë të gajtë, pasi që Bayerni fillimisht e kishte bërë të ditur interesimin për gjermanin gjatë afatit kalimtar të verës së vitit 2019.
Mirëpo, lëndimi i tij në ndeshjen e parë të sezonit 2019/20 – lëndim serioz në gju në ndeshjen e Community Shield kundër Liverpool – ia kishte pamundësuar atij këtë transferim. Megjithatë, tani Sane është shëruar nga ai lëndim dhe do të kthehet në vendlindjen e tij për sezonin e ardhshëm, për ta shkruar kapitullin e ri në karrierën e tij.
“Faleminderit për kohën e mrekullueshme dhe të gjithë përkrahjen në katër vjetët e fundit. Ka qenë një periudhë me të vërtetë e suksesshme, të cilën s’do ta harroj”, ka thënë Sane. “Kemi fituar shumë ndeshje, kemi shënuar shumë gola dhe kemi thyer shumë rekorde. I festuam shtatë trofe së bashku”.
“Faleminderit të gjithë tifozëve, stafit dhe bashkëlojtarëve të mi. Unë do ta mbaj gjithmonë në mend këtë kohë me krenari dhe kënaqësi të madhe”. “Gjithashtu, faleminderit trajnerit tim që më ka bërë lojtar më të mirë dhe e ka luajtur një rol të madh në triumfin tim për garën për çmimin Lojtari i Ri i Vitit në vitin 2018. Kam mësuar shumë dhe jam krenar që kam qenë pjesë e këtij rrugëtimi”.