Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka zbuluar se pas takimit në Paris, do të ketë edhe një takim në Prishtinë mes tij dhe Emannuel Macron. Hoti thotë se ftoi Macronin për një vizitë në Kosovë dhe ai e mirëpriti në një moment të përshtatshëm në të ardhmen. Më tej ai thotë se Franca është e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën për dialogun me Serbinë, që duhet të përfshijë njohjen reciproke.
STATUSI NGA AVDULLAH HOTI Shumë i nderuar me pritjen nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elysee në Paris. Marrëdhëniet e Kosovës me Francën janë të shkëlqyera, ndërsa Franca ka luajtur rol kyç në të gjitha fazat e shtet ndërtimit të Kosovës dhe populli i Kosovës është mirënjohës për këtë. Biseduam për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, me fokus në perspektivën euro-integruese, si dhe për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Franca mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mbështetjen e procesit të dialogut me Serbinë, i cili duhet të përfshijë njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve. U pajtuam që të bashkëpunojmë për shkëmbimin e të dhënave në mes të dy ministrive të Brendshme sa i përket rendit dhe ligjit, të punohet për promovimin e shkëmbimeve ekonomike në mes Francës dhe Kosovës, si dhe të punohet për promovimin e frankofonisë në Kosovë. Jam i lumtur që Presidenti i Francës Macron e mirëpriti ftesën për vizitë në Kosovë, e cila vizitë do të ndodhë në të ardhmen në një moment të përshtatshëm për Presidentin Macron.