Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, është i sigurt se Sergio Ramos do ta mbyllë karrierën e tij në Real Madrid, pasi i ndihmoi klubit madrilen ta fitojë titullin e 34-t të La Ligës të enjten në mbrëmje.

Fitorja e Los Blancos me rezultat 3:1 kundër Villarrealit ua dha atyre titullin e parë të kampionit të Spanjës që nga sezoni 2016/17, përderisa madrilenët i dhanë fund dominimit të Barcelonës në këtë garë.

Ramos pati ndikim të madh në skuadrën e Real Madridit gjatë gjithë sezonit, me pesë golat e tij në dhjetë ndeshjet e fundit të La Ligës, duke ia përmirësuar kështu vetes gjasat për ta fituar medaljen e pestë të kampionit në karrierën me Real Madridin.

34-vjeçarit do t’i përfundojë kontrata e tij sezonin e ardhshëm, mirëpo presidenti i klubit, Florentino Perez beson se Ramosi do ta përfundojë karrierën e tij në Santiago Bernabeu.

“Ramosi do ta përfundojë, pa asnjë dyshim, karrierën në Real Madrid”, ka thënë Perez, në një intervistë të dhënë për Movistar.

“Edhe pse është diskutuar për këtë, kjo nuk do të ndryshojë. Të gjithë jemi të qetë. Ai është më shumë sesa thjesht një kapiten. Ai e ka drejtuar skuadrën me një lidership të madh”.