Nga Mero Baze/
Rritja e përditshme e kurbës së infektimit nga COVID dhe rastet e shtuara të vdekjeve prej tij, duhet të na përballin me një strategji të re të përballjes me të, duke përjashtuar mbylljen. Ekspertët e shëndetit publik janë ata që duhet të thonë fjalën e tyre, ndërkohë që për të bashkëjetuar hapja me COVID, duhet të funksionojnë disa rregulla të sjelljes publike.
Së pari, distancimi social duhet të kthehet me dhunë ligjore. Baret e Tiranës në Bllok, çdo natë janë të mbushura në mënyrë të tillë, që një i infektuar mund të bëjë kërdinë. Në kushtet kur baret e Tiranës dhe restorantet nuk po përfillin distancat sociale, institucionet tatimore duhet të përcaktojnë, mundësisht me shenja të ngjitura në tokë, vendet ku duhet të jenë tavolinat, të distancuara nga njëra- tjetra 2 metra dhe çdo shkelje duhet të ndëshkohet aq rëndë, sa të mos ketë mundësi të hapet më.
Të kaluarit nga ekstremi i mbylljes totale, në hapje totale me papërgjegjësi, është krim ndaj sakrificës tre mujore që kemi bërë dhe një rrezik i shumëfishuar për të ardhmen. E njëjta gjë duhet të vlejë dhe për zyrat e shtetit apo etikën e sjelljes në publik, të zyrtarëve të shtetit.
Së dyti, duhet qartazi qeveria të ndalojë dasmat, ceremonitë e vdekjeve dhe tubimet politike që grumbullojnë njerëz. Këtu nuk duhet të ketë ekuivoke. Në kushtet kur virusi po shpërndahet me shpejtësi, grumbullimet për ceremoni private apo politike, duhet të jenë tërësisht të ndaluara.
Së treti, hotelet që po hapen në zonat bregdetare duhet të supervizohen sa i përket kushteve sanitare dhe dezinfektimit pas çdo klienti që ndërron dhomë. Po ashtu restorantet ku shërbehen mëngjeset, duhet të komandohen nga kamarierët e mirëkontrolluar dhe jo vetëshërbim qytetarësh, që fusin duart në servise dhe ndotin gjithçka.
Së katërti, Qeveria duhet të mendojë urgjent për një aplikacion që gjurmon qytetarët e infektuar dhe ndjek kontaktet e tyre. Çdo personi që rezulton pozitiv, duhet të instalohet në telefon një aplikacion përgjues për lëvizjet e tij, derisa të konfirmohet negativ. Kjo nuk ka lidhje me dëshirat e tij, por me lirinë e të tjerëve për të mos u infektuar prej tij. Dhe besoj se është diçka e realizueshme.
Dhe së fundmi, Qeveria duhet të vazhdojë të mbajë monopolin e statistikave përmes tamponëve, por është absurde që ajo të ndalojë spitalet private të bëjnë analizën e gjendjes së antitrupave të gjak, nga ata qytetarë që duan ta bëjnë këtë dhe kanë mundësi ta bëjnë. Kjo nuk e prek punën e Qeverisë, dhe as problemin e tamponëve.
Por meqë spitalet private apo laboratorë të njohur dhe çertifikuar ndërkombëtarisht, kanë mundësi ta bëjnë këtë gjë, duhet të lejohen ta bëjnë. Kjo nuk ka pse ndikon në strategjinë e Qeverisë për ndjekjen e pacientëve që u bën tamponin, por ajo çliron shumë energji të reja për të pajisur qytetarët që duan të udhëtojnë me një analizë mjekësore apo që duan të sigurohen nëse e kanë kaluar apo jo, COVID-19.
Tani e kemi kaluar periudhën e panikut dhe spekullimit të mundshëm me këto analiza dhe kjo vetëm sa mund ta përmirësojë situatën.
Mbyllja natyrisht mbetet opsioni më i padëshiruar, por nëse distancimi social nuk realizohet me dhunë dhe nëse Qeveria nuk tregon dhëmbët ndaj shkelësëve të ligjit, vjeshta do të jetë një tmerr i ri, që do të na bëjë të pendohemi thellë për këtë çakërdisje kombëtare, pas mbylljes së pranverës.