Një ndryshim kushtetues i ndërmarrë nga mazhoranca në funksion të listave të hapura, ka rikthyer Ilir Metën e para një viti, ose dhe të para disa muajve: i ashpër, egërshan, kontravers. Pra, ndaj mazhorancës. Por dhe kontradiktor në kulm.
Më i freskët në këtë të fundit, është një deklaratë dje shpërndarë nga zëdhënësi i tij Tedi Blushi. Duke dalë kundër dy ndryshimeve kushtetuese, por pa u shprehur fare për qëllimin e tyre -pra, nuk dihet ende nëse presidenti është apo jo për listat e hapura – ai sërish theksoi, sipas tij, ilegjitimitet te parlamenti – ai që pritet të miratojë ndryshimet. Por e bëri këtë pasi pak javë më parë i dha legjitimitet duke kërkuar nga parlamenti miratimin e marrëveshjes së 5 qershorit për Zgjedhoren.
Por si e përligji këtë ndryshim kursi, këtë kundërthënie, këtë kontraditë të ububushme? Duke mos quajtur parlamentin në tërësi ilegjitim por vetëm deputetët e ardhur nga listat e partive pas aktit të dorëzimit të mandateve.
“Ilir Meta thekson se Kuvendi aktual ka vetëm 82 deputetë legjitimë, ku përfshihen edhe tre deputetët të cilët nuk pranuan të dorëhiqeshin pas vendimit të Opozitës së Bashkuar”, thoshte deklarata.
“Kuvendi ka formalisht vetëm 122 deputetë nga 140 deputetë që është detyrimi kushtetues”, vijon mëtej deklarata, që në fakt, në ka gjë të diskutueshme në legjitimitet, mund të jetë pikërisht ky; pra, mungesa e numrit të plotë të deputetëve.
Por jo, Meta quan ilegjitim dhe hyrjen emrave të listës në parlament, që duhet kujtuar, u mbështet dhe u përshëndet nga SHBA dhe BE në kohën kur ndodhi.
“Procesi i zëvendësimit ka qenë haptas antikushtetues dhe antiligjor”, vijon deklarata.
Logjika konstitucionale, por dhe politike: Nëse ky parlament paska kaq ilegjitimitet, kjo s’ka si ta lërë atë legjitim, qoftë dhe me një detaj të vogël të diskutueshëm. Së këndejmi, çdo vendimmarrje e këtij parlamenti buron ilegjitimitet. Por kur Meta e legjitimon me kërkesën për votimin e marrëveshjes së 5 qershorit, kjo vlen më pas dhe për çdo votim tjetër. Pra, edhe atë për dy ndërhyrjet e fundit në fundit në Kushtetutë.
Ndësa pala që bërtet se është ajo opozita e vërtetë, PD dhe LSI të vetëdalë nga sistemi, duhet ta kuptojnë se po marrin ndëshkimin politik të goditjes së sistemit. Me rregulla loje duhej të ishte më e rëndë. Si në futboll: ai që bojkoton një takim, jo vetëm humb ndeshjen në tavolinë, por dhe ndëshkohet me masa të tjera pasuese. PD dhe LSI nuk janë në ndëshkim por në vetëndëshkim. /tesheshi/