Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Belinda Ikonomi e vijoi sot turin e saj të komunikimit me biznesin me një vizitë në kompaninë italiane “Innovaway”. Kompania “Innovaway” operon në tri fusha: menaxhimi i shërbimit të IT-së, teknologjia e informacionit dhe transferimi i procesit të biznesit (BPO). Gjatë pandemisë së COVID-19, kompania përshtati punën nga distanca dhe u fokusua në zhvillimin e sektorit të kërkimit dhe zhvillimit të aplikimeve software.

Zëvendësministrja Ikonomi theksoi se sektori i BPO është i përfshirë në ligjin e investimeve strategjike. Kjo, pasi u shpreh Ikonomi, ky sektor punëson të rinj me një pagë të mirë dhe i trajnon ata. Ikonomi informoi se edhe në planin për zhvillimin 10 vjeçar të ekonomisë parashikohen lehtësi për këtë sektor. Ndërsa përfaqësuesja e kompanisë tha se “për ne ishte avantazh të kemi infrastrukturë me teknologjitë më të reja në treg dhe kjo na ndihmoi të përballonim situatën në kohë reale. Por nuk ishte vetëm kjo, ne ndërtuam një sistem shumë efikas që do të thotë se ne kemi një komunikim online”.

Sipas saj, selia e kësaj kompanie ka qenë smart working e gjitha. “Ne arritëm brenda dy ditësh të instalonim të gjithë teknologjinë në shtëpitë e punonjësve duke mos ndërprerë për asnjë sekondë shërbimin ndaj klientit. Ky ishte suksesi pasi treguam se në çdo situatë të vështirë edhe kjo e pazakonta ne do ta përballojmë kërkesën pa ndërprerje pa asnjë efekt negative”, shprehet përfaqësuesja e kompanisë. Ajo bëri të ditur se është vendosur se pavarësisht situatës punonjësi do të punojë një herë në javë nga shtëpia. Kjo sipas saj, i jep kënaqësi punonjësve, duke i krijuar atij mundësinë të menaxhojë më mirë familjen pse jo edhe të kursejë sa i takon transportit për në punë.

Përfaqësuesja u shpreh se nuk kishte larguar asnjë punonjës nga puna, pasi siç theksoi ajo, punonjësit janë një vlerë e shtuar e kompanisë. “Innovaway” numëron 80 të punësuar në Shqipëri dhe ofron shërbime për më shumë se 150 klientë në Itali dhe Europë, kryesisht për industrinë e modës, shitjeve me pakicë, transport, shërbime financiare e deri te shërbimet komunale të ofruara për administratën publike.