Presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë, Gabriele Gravina, ka bërë të ditur se sezoni 2020/21 mund të mos rinisë deri në tetor, por ka insistuar se ende nuk është marrë vendimi. Pas tre muajve pauzë të detyrueshme shkaku i përhapjes së koronavirusit në botë, ligat evropiane të futbollit ose e kanë përfunduar sezonin aktual, ose janë afër fundit. Bundesliga ishte e para që e rinisi sezonin pas ndërprerjes në mars dhe i zhvilloi ndeshjet e fundit të sezonit në fund të qershorit. Premierliga dhe La Liga e mbyllën sezonin së fundi, ndërsa Ligue 1 vendosi të mos e rinisë sezonin fare dhe e mbylli në prill.

E vetmja ligë evropiane e madhe që po vazhdon ende me xhiro është Serie A, që do t’i zhvillojë ndeshjet e fundit të këtij xhiroje këtë fundjavë. Serie A nuk ka ende datë zyrtare të caktuar për nisjen e sezonit të ri, megjithatë mediumet italian kishin raportuar se sezoni i ri mund të nisë më 12 shtator – lajm ky të cilin tani e ka mohuar kreu i Federatës italiane.

“Mua më duket se s’ka gjasa të nisë sezoni i ri i Serisë A më 12 shtator, nuk di çfarë të them as për 19 shtator. Ne mund të duhet t’ia nisim në tetor, por fillimisht duhet ta analizojmë kalendarin”. Deri në fund të sezonit 2019/20 janë ende ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës në gusht dhe ndeshjet e ekipeve kombëtare në shtator. Megjithatë, tani Federatat dhe shtëpitë e futbollit po bëhen gati për sezonin e ardhshëm. La Liga dhe Premierliga do ta nisin sezonin e ri më 12 shtator, Serie A më 18 shtator, ndërsa Ligue 1 më 22 gusht.