Presidenti Donald Trump ka përsëritur thirrjet për rihapjen e shkollave në vjeshtë. Në konferencën për shtyp të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, presidenti tha se nuk ka problem të dërgojë djalin, Barron, si dhe nipat e mbesat në shkollë, duke thënë se shkollat duhet të rihapen megjithëse shumë ekspertë thonë se kjo mund të rrisë ritmet e përhapjes së epidemisë. Presidenti përsërit thirrjet e tij, ndërkohë që shumë shtete ballafaqohen me situatë të rëndë, përfshirë shtete me rëndësi kritike për rizgjedhjen e tij si Teksasi dhe Florida.

Presidenti ka kërcënuar se do të pezullojë fondet federale për shkollat deri në rihapjen e tyre. Të mërkurën presidenti tha se nuk shqetësohet për rikthimin e djalit dhe nipave e mbesave në shkollë, duke thënë se fëmijët kanë sistem të fortë imunitar dhe nuk do të rrezikojnë prindërit apo pjesëtarët e moshuar të familjes. Kjo është studiuar, tha presidenti. Zoti Trump shtoi se vendimi përfundimtar është në dorë të shteteve individuale.

Presidenti u bëri thirrje të rinjve të shmangin baret dhe tha se po i zhvillon konferencat për shtyp pa praninë e mjekëve të grupit të punës kundër koronavirusit, pasi ishte informuar prej tyre para konferencës. Ai përmendi protestat në qytete të ndryshme si një ndër arsyet e përhapjes së shpejtë të virusit kohët e fundit. Ai u bëri thirrje amerikanëve të vënë maska, por shtoi se është në dorë të guvernatorëve të vendosin si do t’i hartojnë politikat për maskat. Presidenti është parë vetëm një herë me maskë në publik, por këtë javë filloi të theksonte vlerën e maskave si masë parandaluese. Po ashtu ai nënvizoi rendësinë e praktikave higjenike: “Kam dëgjuar më shumë njerëz që thonë ‘Laj duart’,” tha presidenti./VOA/