Pas një kërkese drejtuar gjigantit amerikan ‘Apple’ për të vendosur Kosovën në hartë, Dua Lipa e gjeti veten në qendër të një debati pas publikimit të hartës që reklamon “Shqipërinë e Madhe” me mbishkrimin ‘Autochthonous’.

Mediat serbe nisën menjëherë artikujt kundër këngëtares shqiptare, madje duke i ndryshuar edhe emrin me qëllim fyerje, duke e quajtur Dui Lipi. Këngëtare të shumta serbe publikuan reagime kundër Duas, duke deklaruar se “këngëtarja shqiptare po nxiste urrejtje” apo se “vetë Dua e di shumë mirë që Kosova është zemra e Serbisë”. Kishte edhe komente nga artiste serbe që i kërkonin Duas që të mos fliste për Kosovën e pavarur për shkak se nxiste urrejtje pasi “Kosova nuk do të jetë kurrë e pavarur, por gjithnjë pjesë e Serbisë”.

Po nëpërmjet një postimi në Instagram, Dua sqaroi se publikimi i hartës nuk kishte për qëllim të nxiste urrejtje. Vetë Dua pranon se publikimi i hartës së “Shqipërisë së Madhe” ishte emocional dhe i ndikuar nga fakti që përballet çdo ditë me rezistencën për të promovuar një kulturë autentike kosovare.

“Me postimin tim paraprak nuk kisha menduar kurrë të nxis urrejtje. Më trishton dhe më zermëron fakti që postimi im është interpretuar keq me dashje nga disa grupe dhe individë që promovojnë separatizmin etnik, diçka që e kundërshtoj plotësisht. Sa herë që postoj për Kosovën ‘feedi’ im çmendet, (marrë shumë reagime)edhe nëse është diçka që ka të bëjë me gëzimin, ushqimin apo muzikën dhe përballem me rezistencë të ashpër për idenë e një kulture autentike kosovare. Ne të gjithë meritojmë të ndihemi krenarë për etninë dhe prej nga jemi. Unë thjesht dua që shteti im të prezantohet në hartë dhe të jem në gjende të flas me krenari dhe gëzim për rrënjët e mia shqiptare dhe shtetin tim mëmë. Inkurajoj të gjithë të përqafojnë trashëgiminë e tyre dhe të dëgjojnë e mësojnë prej njeri-tjetrin. Paqe, dashuri dhe respekt për të gjithë”, u shpreh Dua, duke u përpjekur të kthejë diskutimin aty ku nisi, te kërkesa për prezantimin e Republikës së Kosovës në kompanitë ndërkombëtare.

Kjo çështje që bëri shumë persona të flisnin, duket se nuk ka lënë në heshtje vjehrrën e Duas, nënën e Anwar, Yolanda Hadid. Yolanda ka komentuar në këtë postim, duke treguar mbështetje totale dhe miratim për çdo veprim të nuses së saj.

“E thënë shumë mirë” – shkruan ajo.