Prej disa ditësh, kryeministri Edi Rama është duke ftuar publikisht kreun e opozitës, Lulzim Basha, të takohen për të diskutuar mbi ndryshimet kushtetuese për reformën zgjedhore.
Basha nuk i është përgjigjur ftesës, madje nuk ka pranuar as ta komentojë atë, ndërsa i vetmi veprim që bëri, ishte t’i dërgonte Ramës në takim, Gazmend Bardhin. Ajo që nuk kuptohet, është përse Lulzim Basha refuzon të takohet me Ramën, çka mund të sillte zgjidhjen e kësaj situate nnjëherë e mirë.
Normalisht Rama dhe opozita parlamentare i kanë votat dhe mund të shkojnë në Kuvend, të votojë ndryshimet kushtetuese të propozuara nga opozita parlamentare. Por, Rama, nën presionin edhe të ndërkombëtarëve, natyrisht, kërkon të kënaqë të dyja opozitat, si atë parlamentare, ashtu edhe atë të rrugës. Për këtë arsye dhe i ka thirrur bashkë në takim, që të sheshojnë mosmarrëveshjet dhe të arrihet në një pikë të përbashkët, që të kënaqen të dyja palët.
Por ndërsa Rama bën thirrje të përditshme për t’u takuar dhe për të dialoguer, nga opozita e rrugës ka vetëm disa deklarata me nota fataliste dhe kërcënuese, të tipit që nëse nuk zbatohen kërkesat e tyre të miratuara në marrëveshjen e 5 qershorit, do të bëhet gjëma.
Dhe e bukura është, se nuk kanë asgjë në dorë për t’u imponuar, pasi janë jashtë sistemit. Të vetmit që mund të imponohen në këto momente, janë deputetët e opozitës parlamentare, që kanë votat për të kaluar në Parlament, marrëveshjet politike. Ata po, mund të kërcënojnë, se kanë në dorë si Ramën, ashtu edhe Bashën.
Ndaj ky i fundit, nuk mund të bëjë gjë tjetër, veçse të ulet e të flaës jo vetëm me Ramën, por dhe Murrizin me shokë. Ndryshe do vazhdojë ta shohë politikën nga rruga.