Paris Saint-Germaini është i gatshëm të shpenzojë mbi 100 milionë funte gjatë afatit kalimtar të verës për transferimin e sulmuesit të Manchester Unitedit, Marcus Rashfordit, sipas gazetës britanike The Independent. Marcus Rashford ka qenë në qendër të vëmendjes këtë sezon jo vetëm për shkak të paraqitjeve të tij, por edhe shkaku i kontributit që e bëri për problemin e urisë me të cilën përballen fëmijët në Serbi, transmeton Gazeta Express.
Në fushën e lojës, sulmuesi anglez ishte golashënues në barazimin me rezultat 2:2 kundër Southamptonit të hënën, kur e shënoi golin e tij të 21-të për këtë sezon. The Independent tani raporton se trajneri i Paris Saint-Germainit, Thomas Tuchel, e cilëson Rashfordin si njërin ndër prioritetet e klubit për afatin kalimtar të verës, para se të nisë sezoni i ri 2020/21. Gazeta britanike shkruan se strategu gjerman ka punuar gjatë javëve të fundit për ta bindur hierarkinë e PSG-së se për Rashfordin ia vlen të shpenzohen paratë të cilat po i kërkon Manchester Unitedi për të, pasi që beson se anglezët s’e kanë kuptuar ende se sa i mirë është Rashford. E përkundër vështirësive financiare që ua ka sjell kriza e koronavirusit klubeve evropiane, Manchester Unitedi as nuk do ta shqyrtojë asnjë ofertë nën 100 milionë funte për anglezin, i cili ka dalë nga akademia e klubit.
Rashfordi ka qenë që një kohë të gjatë nën radarin e Tuchel, pasi që edhe në shkurt ishte raportuar se trajneri i Paris Saint-Germaini dëshironte ta kishte në skuadër 21-vjeçarin për sezonin e ardhshëm.