Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj u ndal në Delvinë ku vizitoi një nga gratë sipërmarrëse të kësaj bashkie, Verën. Vera është një nga të paktat gra në Shqipëri e cila prej vitit 1996 operon në fushën e bimëve mjekësore dhe eksporton në disa vende të rajonit. Në mjediset e saj, ku ka punësuar edhe gra delvinjote gjen nga të gjitha bimët mjekësore që rriten në fushat e malet e vendit.
“Dëshira e saj është të zgjerojë aktivitetin dhe ndaj pamë nga afër mundësitë për ta ndihmuar në sigurimin e një financimi për makineri që do ta lejojnë Verën të rrisë kapacitetet përpunuese të këtyre bimëve, por edhe numrin e të punësuarave”, bëri të ditur Denaj. “E nisa me një barakë. Unë punoj jo vetëm në Delvinë, por që nga Himara, Lukova, Përmeti etj.”, shprehet Vera. Ajo thotë se ka të gjitha llojet e bimëve mjekësore që kultivohen në Shqipëri. Ajo ka gjetur edhe kompanitë ku mund të shesë produktet e saj, pikërisht në Gjermani. Ministrja foli edhe për mbështetjen që po jep qeveria përmes shërbimeve të dixhitalizuara që ndihmojnë sipërmarrësit, jo vetëm të kursejnë kohë, por edhe të shmangin radhët e gjata nëpër sportele, për t’iu dedikuar më shumë rritjes dhe përmirësimit të biznes.
“Ne humbim 20 % të PBB-së nga pabarazia e burrit dhe gruas në forcën e punës apo sipërmarrje”, u shpreh Denaj. Prandaj, tha ministrja, është e rëndësishme përdorimi i shërbimit online, pasi do të jenë sistemet ato që do të kryejnë një sërë procedurash për individin.