Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj në turin e komunikimeve të drejtpërdrejta me biznesin, u ndal sot në qytetin e Korçës. Denaj zhvilloi në Pazarin e Korçës takime me bizneset e hoteleri-turizmit, artizanatit dhe shërbimeve, që kanë nisur të gjallërohen dhe të presin turistët e radhës.
Në qarkun e Korçës nga Paketat e Qeverisë kanë përfituar 10 mijë e 493 qytetarë dhe 4 mijë e 481 biznese. Gjatë bashkëbisedimit me një sipërmarrëse në Pazarin e Korçës, Denaj u informua se, të gjithë punonjësit e këtij biznesi përfituar nga paketa e mbështetjes të tre pagat e luftës prej 26 mijë lekë, në kushtet kur aktiviteti ishte i mbyllur për shkak të situatës COVID -19.
“Ndërsa tani në qershor, kemi filluar punë dhe na ka ndihmuar edhe vendimi i bashkisë për përjashtimin e taksat vendore ” – u shpreh një punonjëse e një biznesi në Korçë. Nga ana e saj ministrja Denja shpjegoi se, biznesi i vogël ka qenë në fokus të politikave mbështetëse të qeverisë, pasi siç tha ajo “aty është dhe vështirësia më e madhe”. “Si nga paketa e parë prej të cilës përfituan tre pagat e luftës prej 26 mijë lekë edhe në paketën e dytë me 40 mijë lekë, që iu adresua turizmi, të papunëve dhe biznesit të vogël, tregon se sipërmarrjet e vogla janë adresuar totalisht nga paketat mbështetëse”- tha Denaj. Ndërkohë, theksoi ministrja, mbështetja vijoj me shtyrjen e kësteve të tatim fitimit dhe më pas me një nisëm e re që tatim fitimi do të jetë 0 për 10 vite, sepse biznesi i vogël kërkon kohë për t’u rimëkëmbur. “Situata e pandemisë na dha goxha mësime, por ndërkohë reflektuam edhe për biznesin e vogël. Të ardhurat në buxhet e justifikojnë largimin nga tatim fitimi, për t’ju dhënë mundësinë e vetëpunësimit më efektiv”- deklaroi Denaj.