Muaji qershor 2020 ka qenë më i nxehti i regjistruar ndonjëherë në botë duke u barazuar me qershorin 2019, njoftoi sot shërbimi europian Copernicus mbi ndryshimin klimatik, duke nënvizuar ekzistencën e anomalive shqetësuese dhe zjarret në Siberi. “Qershori 2020 është i barabartë me qershorin 2019, muaji qershor më i nxehtë që prej fillimit të të dhënave, 0,53 gradë Celsius mbi mesataren e periudhës 1981-2010”, theksoi Copernicus në një komunikatë, pas muajit maj tashmë rekord.
Por, është nxehtësia e jashtëzakonshme në Siberinë arktike ajo që tërhoqi vëmendjen e shërbimit europian. Temperatura mesatare arriti kështu deri në 10 gradë Celsius mbi normat sezonale në qershor. Më 20 qershor, një temperaturë prej 37 ° C gjatë një ore u regjistrua në Siberinë lindore, një rekord brenda Rrethit Arktik, sipas Copernicus. Corpernicus nënvizon se këto temperatura të jashtëzakonshme janë të lidhura me faktorë të ndryshëm ndërveprues, veçanërisht regjimin e erërave dhe një mbulesë veçanërisht e ulët e dëborës.