Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) ka publikuar raportin “Government at a Glance: Western Balkans”, i cili fokusohet në qeverisjen publike duke përfshirë fusha si financat dhe ekonomia, punësimi në sektorin publik, institucionet, praktikat dhe procedurat e buxhetit, menaxhimi i burimeve njerëzore, prokurimet publike, qeverisja digjitale, rezultatet e qeverisjes dhe shërbimet ndaj qytetarëve.
Ky raport analizon qeverisjen në të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi), duke i krahasuar me njëra-tjetrën dhe me vendet e OECD-së (Australia, Austria, Belgjika, Kanadaja, Kili, Kolumbia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Irlanda, Izraeli, Italia, Japonia, Korea, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Meksika, Holanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, SHBA).
Në qershor të vitit 2019, çdo shtet ka plotësuar dhe dërguar paraprakisht informacione mbi një pyetësor që është kërkuar nga ekspertët lokale të OECD-së. Në tabelën më poshtë, sa i përket Qeverisjes Digjitale, Shqipëria renditet më e vlerësuara nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, duke plotësuar pozitivisht numrin më të madh të treguesve (7 nga 7 treguesit dhe 5 nga 6 nën-treguesit).
Pas Shqipërisë renditet Serbia (e cila plotëson 6 nga 7 treguesit dhe 5 nga 6 nën-treguesit) dhe Maqedonia e Veriut (e cila plotëson 5 nga 7 treguesit dhe 5 nga 6 nën-treguesit).