Sergio Ramos do t’i varë atletet duke luajtur në fushë me fanellën e Real Madridit. Këtë e ka konfirmuar numri një i Los Blancos, Florentino Perez, pas triumfit në La Liga. Ramos ka vetëm edhe një vit kontratë me Realin, por dëshira e tij dhe e klubit është që ai të vazhdojë ta veshë fanellën e Madridit edhe për disa sezone, para se t’i japë fund karrierës si futbollist, dhe këtë synimi është ta bëjë në “Santiago Bernabeu”.

“Ramos do ta përfundojë karrierën te Real Madridi”, u shpreh Perez. “Ai ka folur për këtë dhe nuk do të ndryshojë mendje, të gjithë jemi të qetë”. “Sergio është më shumë se një kapiten. Ai e ka udhëhequr ekipin në mënyrë të jashtëzakonshme”. Perez foli edhe për ndikimin e Zinedine Zidane, që pas disa muajsh pas rikthimit, riktheu edhe Realin në maje, duke fituar Superkupën e Spanjës dhe La Ligën. “Ai fiton një trofe në çdo 19 ndeshje. Është një dhuratë nga zoti. Jam shumë krenar për futbollistët dhe trajnerin”.