Kryetari i grupit parlamentar Demokrat, Myslym Murrizi dhe kryetari i grupit parlamentar të Pavaru,r Edmond Stojku kundërshtojnë votimin e marrëveshjes së Këshillit Politik dhe insistojnë për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Në një deklaratë për median, para Kryesisë së Kuvendit, kryetari i grupit Demokrat, Myslym Murrizi u shpreh sot se do të depozitojë një kërkesë në Kryesinë e Kuvendit për kryetarin e PS-së dhe për kryetarin e grupit parlamentar, Rama dhe Balla për një takim të dytë, sepse nga takimi i parë nuk morëm përgjigje për kërkesat që paraqitëm në emër të 28 deputetëve të opozitës.

Murrizi shtoi se “28 deputetë të opozitës por edhe të tjerë janë të vendosur për të mos qenë fasadë dhe për të mos votuar asnjë dakordësi të Këshillit Politik, apo më saktë të treshes, Rama-Basha-Monika”.

“Ne hap pas hapi do të koncentrojmë qëndrimin tonë, dhe do të marrim veprime konkrete nëse në mënyrë të njëanshme nga Balla dhe Rama, apo nga këta që nuk janë në parlament do të tentojnë që të fusin këtë dakordësi që nuk është ndryshim, nuk është Kod Zgjedhor, në parlament pa marrë në konsideratë kërkesat e opozitës parlamentare. Jemi të vendosur dhe të prerë që nuk do të votojmë asnjë lloj dakordësie pa u hapur listat. Ta harrojë Taulant Balla apo Edi Rama dhe këta të dy që vijnë vërdallë për të kapur ndonjë deputet të vobektë me idenë për të plotësuar numrat, se do të kenë 84 numrat në parlament për paçavuren e 5 qershorit”, tha ai.

Kryetari i grupit parlamentar të Pavarur, Edmond Stojku tha se “si opozitë jemi institucion dhe institucionalë në kërkesat tona. Kemi firmosur para një viti, kemi kryer takimet institucionale sipas rangut deri te kryeministri”.

“I kërkojmë kryeministrit Rama dhe kryetarit të grupit të PS-së Balla që t’u bëjmë me dije se vetëm institucionet, ato të zgjedhura nga populli, kanë të drejtën legjitime për të vendosur mbi fatin e sistemeve, për të vendosur mbi fatin e zgjedhjeve dhe njëkohësisht për të menduar për të ardhmen sa më të mirë të popullit shqiptar”, tha ai.