Nga Alfred peza
Shqipëria e sotme nuk ka ndryshuar asfare nga ajo Shqipëria që ka përshkruar Faik Konica, këtu e 100 e kusur vite më parë. Kur ai hidhte një ide dhe të gjithë i hidheshin në fyt për ta kundërshtuar. E më pas për të debatuar me zjarr derisa pushonin dhe heshtnin. Për ta pranuar fillimisht brenda vetes. E më pas edhe publikisht. Për ta mbrojtur atë ide vetë, edhe më me zjarr, sesa e kishin kundërshtuar në fillim. Derisa kur niste të hapte gojën autori i saj, i hidheshin sërisht në fut, edhe më fort se më parë.

E njëjta situatë po përsëritet edhe sot, me idenë e hapjes së listave të kandidatëve për deputetë, në mjedisin politik shqiptar. Pasi u hodh ideja e hapjes së listave nga përfaqësuesit e opozitës së re në Parlament, nisma u mbështet nga Ambasadorja e SHBA. Më pas, këtë e pranoi edhe Kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca socialiste, të cilët duke dëgjuar zërin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve që e mbështesin, vendosën që ta shndërronin në një marrëveshje politike.

E pikërisht në këtë moment, PD dhe Lulzim Basha, aleatët e tij të “Opozitës së Bashkuar” dhe propaganda e tyre, nuk lanë fjalë pa thënë kundër kësaj ideje. Duke shkuar deri atje, sa këdo që e mbështeste publikisht idenë e hapjes së listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2021, ta konsideronin si shpërbëtorin e Edi Ramës e ca gjëra të tjera edhe më të rënda se kaq, akoma.

Por, pasi marrëveshja e 5 qershorit mes PS, PD dhe LSI në tryezën e Këshillit Politik u votua në Parlament, opozita e rrugës bashkë me thirrjet “fitore”, “fitore”, nisi edhe kërcënimet se nëse marrëveshja e PS me opozitën e Parlamentit për listat, koalicionet dhe pragun elektoral do të miratohen, atëherë këtu do të bëhej nami edhe më keq se në 1997 apo se vitin e kaluar, e çfarë tjetër tu vinte ndërmend.

Edi Rama deklaroi se më 30 korrik, do apo nuk do opozita e rrugës, listat do të hapen. Të nesërmen pasoi heshtja. Të pasnesërmen nisën të flisnin me vete. Derisa e pranuan brenda tyre se listat do hapen dhe pas kësa doli Lulzim Basha për ta thënë edhe me zë të lartë publikisht. Listat jo vetëm që do hapen, por as më pak e as më shumë, vetëm 100% ndryshe bëhet prapë nami. E sapo Edi Rama nisi të flasë për tia sqaruar atë që nuk e kishin kuptuar, iu sulën me të njëjtën gjakim opozitar, për ti mbyllur gojën. Derisa sot thanë se Edi Rama nuk e do hapjen e listave!

Deri këtu, asgjë për tu habitur, në një vend kur gjërat përsëriten prej një shekulli në të njëjtën mënyrë siç e ka përshkruar Faik Beu. Por, ajo që të habit është se tani kanë avancuar akoma edhe më shumë. Aq sa do ta pataksnin edhe atë vetë në botën e përtejme. Sepse tani jo vetëm që duan hapjen e listave, jo vetëm që i duan 100%, por tani duan që çdo gjë tjetër në këtë vend, të jetë 100%.

Sikur të jetë shefi i Lulzim Bashës, Ilir Meta deklaroi: “Listat e hapura 100 % janë e vetmja rrugë për rivendosjen e parlamentarizmit dhe llogaridhënies në vend. Populli do të zgjedhë shumë më mirë se Kryetarët, të cilët i kthyen deputetët në kartonngritës shkatërrues të interesit publik, shtetit ligjor dhe demokracisë. Bashkë me deputetët populli duhet të zgjedhë drejtpërdrejt në të ardhmen edhe Presidentin e Republikës.”

Nga listat 100% tani, ata që deri dje ishin kundër hapjes së tyre, kërkojnë edhe një “Republikë të Re të 100 përqindëshit”. Sepse të ndryshosh formën kushtetuese të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, do të thotë në thelb të ndryshosh 100 përqind Republikën. Për ta shndërruar kësisoj nga kjo Republika e vjetër parlamentare siç e kemi sot, në Republikën e Re presidenciale siç e do Ilir Meta, meqë populli e do aq shumë!

Nuk ka asgjë për tu çuditur, për aq kohë sa nuk ka asgjë të re, në sjelljen politike të opozitarëve tanë. Sepse para çdo palë zgjedhjesh e shpikin nga një “Republikë të Re”. Para zgjedhjeve të 2017 pasi u fut në çadër, e mbani mend besoj se Lulzim Basha kërkonte edhe lista të hapura, edhe President të zgjedhur nga populli. Por në fund, sapo Edi Rama i nxorri përpara copën e kuqe të takimit të famshëm të 17-18 majit 2017 i harroi të gjitha, e sul drejt zgjedhjeve duke harruar edhe kaolicionin parazgjedhor.

Ndaj, mos i merni aq seriozisht sa aktrojnë. I fusni një të qeshur dhe shijojeni për qejfin tuaj këtë fundjavë. E enjtja e javës tjetër, kur të mblidhet Parlamenti, vjen shpejt. Ashtu siç u miratua marrëveshja e 5 qershorit, do të miratohet edhe marrëveshja e PS me opozitën Parlamentare.

E ju do të pyesni: Po me “Republikën e re të 100 përqindëshit” çfarë do të bëhet? Përgjigja është fare e thjeshtë: Pas kësaj vjen 1 gushti dhe nisin pushimet verore. Ashtu siç u harruan edhe në verën e 2017, do harrohen edhe në këtë stinë. Pse Lulzim Bashës do ti besoni ju? Do të përgjigjej Ilir Meta!