Kompanitë që do të marrin pjesë në procesin e rindërtimit pas tërmetit, nuk do të paguajnë TVSH dhe taksën e infrastrukturës. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën të ditur se ka dhënë autorizim për përjashtimin nga TVSH-ja për 34 kompani që do të marrin pjesë në procesin e rindërtimit. Sipas Tatimeve, këto kompani nuk do të paguajnë TVSH-në për furnizimin me mallra e shërbime për qëllime të procesit të rindërtimit.

“Administrata tatimore mbetet e angazhuar maksimalisht për të ofruar ndihmë dhe informacion për çdo subjekt të interesuar, si dhe për të vijuar në zbatimin rigoroz të këtij procesi”, theksojnë Tatimet. Qeveria mori vendim që të gjitha kompanitë që do të marrin pjesë në procesin e rindërtimit, ndërtimit dhe riparimit të ndërtesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit do të përjashtohen nga TVSH-ja dhe nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Sipas këtij vendimi, të gjitha subjektet e autorizuara për të marrë pjesë në këtë proces nuk do të paguajnë vlerën që iu takon për këto dy taksa.