Rreth 169 mijë e 757 qytetarë dhe 46 754 biznese kanë përfituar deri tani nga Paketa e Zgjeruar prej 40 mijë lekë e akorduar nga qeveria shqiptare si ndihmë financiare për të gjithë ata qytetarë që u prekën në punën e tyre, për shkak të masave në kuadër të parandalimit të përhapjes së infeksionit COVID-19.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj publikoi rastin e një prej punonjësve që është përfitues i ndihmës financiare të qeverisë prej 40 mijë lekësh. Ai është Rolando, punonjës në kompaninë Stamplast. Rolando është një nga 10 mijë e 548 qytetarët të cilët kanë përfituar nga Paketat e Qeverisë Shqiptare në qarkun Vlorë. Prej muajit maj bizneset i janë rikthyer aktivitetit të tyre, ndërsa mbetet prioritet zbatimi i protokollit të masave të sigurisë që parandalojnë përhapjen e infeksionit COVID-19.