Roma raportohet se ia ka bërë Manchester Unitedit një ofertë të re për Chris Smalling, duke i ofruar klubit anglez ta huazojë edhe për sezonin e ardhshëm me obligimin për ta blerë pastaj për 15 milionë euro.
Chris Smalling do të duhet të kthehet në Manchester United sapo të përfundojë sezoni aktual në Serie A, pasi që Roma e kishte huazuar atë vetëm për sezonin aktual 2019/20 dhe Djajtë e Kuq refuzojnë t’ia lënë futbollistin Romës edhe për Ligën e Evropës.
Tani, gazetat italiane raportojnë se këshilltari i klubit, Franco Baldini, i ka kontaktuar drejtuesit e Manchester Unitedit dhe ua ka bërë këtyre të fundit një ofertë të re për ta mbajtur mbrojtësin në Olimpico.
Roma ka propozuar që t’ia paguajë Djajve të Kuq tre milionë euro për ta huazuar Smallingun edhe për një sezon tjetër, ndërsa ta ketë obligim për ta blerë mbrojtësin për 15 milionë euro verën e ardhshme.
Roma thuhet se po planifikon t’ia ofrojë Smallingut një kontratë katërvjeçare, megjithatë gjithçka varet nga Manchester Unitedi, që në anën tjetër po i kërkon 25 milionë euro për shitjen e Smallingut.