Dorëheqja e taktike e Gjin Gjonit nga drejtësia në përfundim të lejes prindërore dhe në prag të përballjes me Vetingun si dhe propozimi i emrit të tij si kandidat për deputet nga një grupseksion i PD-së në Lezhë, është lajmi që ka dominuar gjatë dy ditëve të fundit. Gjin Gjoni është një ndër gjyqtarët më kontroversë në Shqipëri. Ai u ngjit në majën e drejtësisë shqiptare me vetëm një vit ‘universitet’, ndërsa cilësohet si një ndër personazhet më me influencë në drejtësi. Gjin Gjoni hyri në drejtësi si i pastrehë, ndërsa doli me një pasuri me vlerë miliona euro, për të cilën thotë se e ka nga bashkëshortja. Kur ILDKP i bëri një kallëzim penal në vitin 2014 për mos justifikimin e një pasurie me vlerë mbi 2 milionë euro, Gjin Gjoni e ‘çarmatosi’ prokurorinë me procedura. Gjin Gjoni thotë se kallëzimi ishte një sulm politik, por paradokset rreth pasurisë së tij, besohet se është arsyeja që nuk pati kurajo të përballej me Vetingun.
Në 19 dhe 20 nëntor të 2015, kur kishte nisur debati për reformën në drejtësi, Sali Berisha dhe Gjin Gjoni nisën të mbronin dhe lavdëronin njëri-tjetrin. Në 20 nëntor 2015, vetëm një ditë pasi Sali Berisha e mori në mbrojtje në Kuvend, Gjin Gjoni dha një intervistë për Çim Pekën. Në rrëfimin e tij, Gjin Gjoni i thur lavde Sali Berishës, ndërsa thotë se Berisha ka investiguar rreth figurës dhe pasurisë së tij, dhe pasi është bindur se është i pastër, ka mbajtur atë qëndrim mbrojtës.
Më konkretisht, Gjin Gjoni shprehet kështu para Çim Pekës: “Të them të drejtën edhe gjatë periudhës që ka pasur një ankesë nga ana e autoriteteve gjermane në momentin e një konflikti, por edhe në momentin aktual, them se politikani Berisha është njeriu më i mirinformuar sot në Shqipëri. Ka një karrierë politike prej 25 vitesh, e cila ka pasur uljet dhe ngritjes e veta. Dhe gjatë kësaj periudhe kohe si duket ka investiguar në të gjithë elementet e mi, të karrierës sime, duke përfshirë edhe elementët e deklarimit të pasurisë. Dhe ky është një qëndrim që të them të drejtën e vlerësoj jashtëzakonisht shumë nga z. Berisha edhe si njeri, edhe si politikan, për akuza të pabaza që ministri Saimir Tahiri, akuza personale. Me të drejtë z. Berisha ka përmendur aty se z. Gjin Gjoni iu nënshtrua të gjitha procedurave ligjore. Arriti që të shkojë përpara organeve të drejtësisë dhe organet e drejtësisë arritën në përfundimin se nuk ekziston asnjë nga elementet…. Në mënyrën më absolute Sali Berisha nuk ka asnjë lloji borxhi ndaj meje dhe as unë ndaj Sali Berishës. Kemi një raport normal, jo shumë të afërt. Për shkak se marrëdhëniet e mia me z. Berisha në pozicionin e atij si kryeministër dhe sot si politikan, kanë qenë shumë të larta, për shkak se unë kam qenë pjesë e gjyqësorit. Anjëherë nuk kam qenë pjesë e politikës. Por, të them të drejtën në të gjithë sulm që kanë realizuar, që në momentin e parë deri në momentin aktual, unë kam informuar rregullisht të gjitha institucionet ndërkombëtare… Është e vërtetë që Berisha është personi që ka kontaktet më të mëdha me institucionet ndërkombëtare, përveç ambasadorëve në Shqipëri me të cilët ka pasur kontakte si politikani më e influencë në Shqipëri, por edhe institucione të tjera ndërkombëare, që kanë ardhur në Shqipëri dhe pa dyshim që janë takuar”.
Një ditë më parë, në seancën plenare të datës 19.11.2015, Berisha, duke debatuar me Saimir Tahirin, në atë kohë ministër i Brendshëm, shprehet në këtë formë: “Sa i përket Gjin Gjonit, duhet të lash gojën kur përmend emrin e tij. Absolutisht. Nuk funksionon kështu kjo. Ju besoni gënjeshtrat tuaja, ju besoni mashtrimet tuaja, por Gjin Gjoni pati kurajën dhe integritetin t’i nënshtrohet procesit ligjor për akuzat tuaja monstruoze dhe faktoi para ligjit, se ato ishin shpifje të ulëta të kryemobit Edi Rama dhe leitnantëve të tij. Kurse ti fsheh pasurinë, sepse ke frikë se atë pasuri do të ta marrë përmbaruesi. Ti arrestove si hienë Baftjar Nelën, përmbaruesin, se ke frikë. Të gjitha janë transparente. Çdo gjë mbi tokë unë e kam transparente, prandaj të them: përgjigju një për një vendimeve gjyqësore!”.
Saimir Tahiri i përgjigjet Berishës, duke thënë se “Nuk dua ta besoj dhe nuk shpresoj, që vizioni yt për reformën në drejtësi është Gjin Gjoni dhe gjin gjonër të tjerë. Unë nuk dua të besoj që ky është qëndrimi i të gjithë deputetëve, që ke në krah, për një gjyqtar, i cili është simbol i paligjshmërisë dhe i korrupsionit në sistemin e drejtësisë, që gënjen me pasurinë, që ka qenë në ndjekje penale dhe shpëtohet nga gjyqtarët, që ke çuar ti! Për çfarë e mbron këtu dhe më tregon se duhet të laj gojën para se të përmend Gjin Gjonin, një njeri, i cili u ka marrë shpirtin njerëzve, që përplasen në dyert e gjykatës për drejtësi, apo se ia bëre të shoqen këshilltare, këtu? Apo një njeri, si shumë të tjerë në sistemin gjyqësor, që e mbajnë peng besimin e qytetarëve në drejtësi? Ne nuk i duam këta. Nëse ti i mbron, ne nuk i duam këta, sepse ne besojmë që qytetarët meritojnë drejtësi të vërtetë dhe jo gjin gjonër në drejtësi. Këtu ndahemi ne, ndaj shpresojmë që të ndryshoni mendim dhe të kuptoni që reforma në drejtësi është një detyrim historik, që ua kemi shqiptarëve, jo për të përjashtuar gjin gjonët, se kjo është e kollajshme, por për t’i dhënë drejtësi shoqërisë dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë”.
Në vitin 2014, kryeministri Edi Rama e konsideroi ‘fenomenal’ Gjin Gjonin, për të cili tha se flisnin nga Evropa në NATO dhe nga NATO në Evropë. Gjin Gjoni është akuzuar nga politikanët e së majtës si simbol i paligjshmërisë dhe i drejtësisë së vjetër. Por, 20 qershor të 2016, Ylli Manjani, në atë kohë ministër i Drejtësisë në qeverinë e Edi Ramës, befasoi me një deklaratë vlerësuese për Gjin Gjonin. Ndërsa qeveria dhe ndërkombëtarët akuzonin KLD-në si të korruptuar dhe përgjegjëse për degradimin e drejtësisë, Ylli Manjani, i propozuar si ministër nga Ilir Meta, në mbledhjen e KLD-së së datës 20 qershor 2016, tha se Gjin Gjonin e vlerëson bota.
“Unë vërtetë që jam anëtar i qeverisë, por unë mendoj se ky Këshill i Lartë Drejtësisë në tërësinë e tij, përveç problemeve që ka në pjesën organizative, por edhe në pjesën e sjelljes së tij, unë mendoj se ka një dallim si nata me ditën me përvojat e kaluara. Askush nuk mund të akuzojë të Këshill të Lartë të Drejtësisë se është i korruptuar. Ky emërim (duke iu referuar zgjedhjes së Gjin Gjonit president i Këshillave Gjyqësorë të Ballkanit në 2015), tregon vlerësimin që ka bota profesionale për aftësitë profesionale të gjyqtarëve shqiptarë. Reforma në drejtësi nuk mund të bëhet pa burimet njerëzore. Sistemi aktual i drejtësisë ka shumë elementë pozitivë, një pej tyre është Gjin Gjoni, për të cilin e kam për nder që gjendem në të njëjtin Këshill”, tha Manjani.