Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn tha se “do të urdhërojë testimin e detyrueshëm për koronavirusit për udhëtarët që vijnë në Gjermani nga zona me rrezik të lartë”. Kjo i shërben mbrojtjes së të gjithë qytetarëve. Testet për udhëtarët do të jenë falas. Testimet e detyrueshme pritet të hyjnë në fuqi javën e ardhshme. Personat testi i të cilëve rezulton pozitiv, duhet të qëndrojnë për dy javë në karantinë. Pas heqjes së masave kufizuese miliona gjermanë janë nisur sërish për pushime brenda dhe jashtë vendit. Lista me vendet që konsiderohen si zona me rrezik të shtuar infeksioni përcaktohet nga qeveria federale gjermane dhe Instituti gjerman për Sëmundjet Infektive “Robert Koch” (RKI).Sipas ministrit federal të Shëndetësisë ndër këto vende bëjnë pjesë Turqia apo vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë. Kriter qendror për këtë klasifikim është numri i të infektuarve të rinj gjatë shtatë ditëve të kaluara për 100.000 banorë. Si të rrezikshme konsiderohen ato shtete ose rajone në të cilat gjatë shtatë ditëve të kaluara ka pasur më shumë se 50 të infektuar për 100,000 banorë. Udhëtarët që vijnë nga vende që konsiderohen të parrezikshme mund të testohen vullnetarisht brenda 72 orëve – por jo në aeroport, por në klinika mjekësore ose te Drejtoritë e Shëndetit Publik. Edhe këto testime do të jenë falas.
Frika prej infektimeve të reja është shtuar edhe sepse u bë e ditur së fundmi se pacienti i parë gjerman që u infektua me Korona, e humbi imunitetin ndaj virusit. Pra rreth tre muaj pas infektimit, ai nuk kishte më antitrupa që mund ta mbrojnë nga një infektim i ri.“Që nga muaji prill pacienti nuk ka më antitrupa neutralizues ndaj Covid-19” thanë mjekët. Gjithsesi ai nuk ka pasur deri tani pasoja në mushkëri prej infektimit me Covid 19.