Mbyllet procesi i legalizimit në zonën Kodër Kamëz në Tiranë me 900 të tilla, ndërsa sa i takon të gjithë Bashkisë së Kamzës, ky numër është 13 000 legalizime. Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame, drejtori rajonal Arjon Bistri si dhe kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli ndan lejet e fundit në këtë zonë.

Duke vlerësuar punën e bërë, Lame u kërkoi banorëve qe ende nuk e kanë vetëdeklaruar banesën të shkojnë dhe të aplikojnë. “Kemi kohë që po themi që jemi në përmbyllje të procesit të legalizimit, fshat pas fshati, qytet pas qyteti. Në zonën e Bashkisë së Kamëz kemi arritur shifrën 13 000 legalizimeve. Nga të dhënat rezulton se rreth 110 familje ende nuk e kanë vetëdeklaruar pasurinë e tyre dhe duhet të shkojnë e të aplikojnë. Ju që po merrni sot legalizimet, shkoni tek komshinjtë edhe thuajini ‘që unë e mora, shko edhe ti”,- tha Lame.

“Denonconi nëse keni pasur raste që ju kanë kërkuar të fusni duart në xhepa, duhet të ndëshkohen. Është shumë e rëndësishme që të gjithë ata që punojnë me ndershmëri të marrin vlerësimin e duhur dhe të ndihen mirë për punën e realizuar”,- tha Lame. Edhe kryetari i Bashkisë vlerësoi punën e punonjësve dhe kërkoi mbylljen e këtij procesi që sipas mundësive të kërkojnë dhe t’ju miratohet leja e ndërtimit.

“Në 2013 kjo ishte një ëndërr. Nuk kishte më shumë se 300 legalizime të bëra në Bashkinë Kamëz. Sot shkojmë në mbi 200 000 prona që mund të përdoren për kolateral për të investuar më tej”,- u shpreh Suli.