Kryetari i PD-së në Devoll Arben Miza, është dhunuar mesditën e sotme nga funksionarë të po kësaj force politike. Ngjarja e rëndë është regjistruar gjatë mbledhjes së parë të kësaj dege në zbatim të vendimit të Kryesisë Qëndrore në “selinë blu” për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë.
Mësohet se ka qenë shtetasi Romeo Hajdërlli i cili në prani të të dy deleguarve Endri Hasa dhe Florian Mima, ka goditur fizikisht kryetarin e degës lokale. Hajdërlli i cili ka shërbyer veç të tjerash edhe si një nga ish drejtorët më të rëndësishëm të Bashkisë Devoll kur kjo drejtohej nga Bledion Nallbati, është konfliktuar fillimisht në mënyrë verbale dhe pastaj situate ka degraduar në përdorim të forcës.
Ndërkohë, të deleguarit Mima dhe Hasa kanë mbetur të shokuar nga ngjarja duke mos bërë asnjë reagim. Bëhet me dije se konflikti ka ardhur për shkak të mosdakordësive lidhur me kandidaturat e propozuara për t’u përfshirë në listen garuese në zgjedhjet e vitit 2021. Nga ana tjetër, “selia blu” nuk ka bërë asnjë reagim lidhur me ngjarjen duke e mbajtur të fshehur.
Më herët, kryedemokrati Lulzim Basha e promovoi lëvizjen e re politike për propozimin e kandidatëve për deputetë nga baza si një lëvizje e fortë demokratiziuese, e cila sipas tij do çlironte energji të reja në radhët e demokratëve. “Devolli” është një nga bastionet më të forta të Partisë Demokratike në juglindje duke prodhuar herë pas here rrezultate fituese.