Biznesi i vogël me xhiro deri në 10 milionë lekë do të përjashtohet nga skema e TVSH-së. Zëvendësministrja e Financave, Vasilika Vjero në një intervistë në media tha se masa e propozuar do të lehtësojë tatimpaguesit e vegjël dhe do t’i japë më shumë frymëmarrje administratës tatimore të jetë e fokusuar te kontrolli i biznesit të madh. Vjero shpjegoi se heqja e TVSH-së dhe tatimfitimi i miratuar dje nga qeveria, do të jenë masa të përkohshme deri sa bizneset të fitojnë qëndrueshmëri dhe të rifitojnë gjendjen pozitive financiare që gëzonin para tërmetit dhe pandemisë.
“Nisur nga eksperienca e viteve të kaluara, ku u ul pragu i regjistrimit të TVSH në 2 milionë lekë, por edhe nga të ardhurat e realizuara në këto 2 vite, për t’u ardhur në ndihmë tatimpaguesve të vegjël që janë ndjerë në vështirësi, sidomos në këtë periudhë pandemie, por edhe për shkak të asaj që kaluan nga tërmeti është bërë propozimi për ndryshimin e pragut të TVSH-së”, theksoi Vjero.
Gjatë pandemisë shumë biznese u detyruan të pezullonin aktivitetin e tyre për gati 3 muaj.
“Është propozuar që edhe tatimi mbi vlerën e shtuar të pësojë një ndryshim, pra niveli i regjistrimit të TVSH-së nuk do të jetë më 2 milionë lekë, por 10 milionë lekë. Ka një kapërcim përtej asaj që ka propozuar dhe këshilluar ndër vite Fondi Monetar Ndërkombëtar që niveli i TVSH-së të ishte 8 milionë lekë. Ndërkohë që me propozimet e qeverisë do të jetë 10 milionë lekë. Ne u jemi përmbajtur edhe këshillave të FMN-së, ku nëse një tatimpagues kërkon vullnetarisht të hyjë në skemën e TVSH-së duhet të ketë një xhiro të deklaruar prej 5 milionë lekë”, deklaroi Vjero.