Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i ka dërguar sot një letër solidariteti Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë, z. Tamadori Oshima, për t’i shprehur mbështetjen për përpjekjet për të përballuar pasojat e përmbytjeve në Japoninë Perëndimore. “Me dëshpërim të thellë po ndjek lajmet mbi përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës të shkaktuara nga shirat e dendura që po ndodhin ditët e fundit në Japoninë Perëndimore, prej së cilës kanë humbur jetën 141 persona, ndërkohë që dhjetra të tjerë rezultojnë të zhdukur, dhe mbi dy milionë banorë janë evakuuar nga rajoni.

Populli shqiptar, Kuvendi i Shqipërisë dhe unë personalisht jemi në këto çaste pranë popullit të Japonisë, pranë familjeve të viktimave dhe banorëve të dëmtuar e zhvendosur nga banesat dhe rajoni i tyre, si edhe mbështesim punën e më shumë se 70 mijë punëtorëve të shpëtimit, zjarrfikësve dhe ushtrisë, për të gjetur të mbijetuarit dhe shpëtuar pjesën tjetër të banorëve nga fatkeqësia. Kemi besim të plotë se Qeveria e Kryeministrit Abe, Dhoma e Përfaqësuesve, institucionet japoneze, punonjësit dhe agjencitë e shpëtimit do të parandalojnë rritjen e përmasave të kësaj fatkeqësie dhe do të kontribuojnë që vendi juaj i bukur t’i kthehet normalitetit.

Përfitoj nga ky rast, për të shprehur edhe njëherë ndjenjat e miqësisë e solidaritetit të popullit shqiptar me popullin japonez dhe besimin në forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhenieve midis dy vendeve dhe dy parlamenteve tona.”, shkruan në letrën e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.