Setien: Ndihem keq për Griezmannin, por s’do t’i kërkoj falje Trajneri i Barcelonës, Quique Setien, e ka pranuar se e ka të vështirë ta inkuadrojë në lojë francezin Antoine Griezmann pa e destabilizuar skuadrën, përderisa hodhi dyshime mbi të ardhmen e futbollistit.

Antoine Griezmann u inkuadrua në ndeshjen kundër ish-klubit të tij, Atletico Madridit, vetëm në minutën e 90-të, ndërkohë që Barcelona u nda me barazim 2:2 nga kjo ndeshje. Për Griezmann, që u transferua në Barcelona verën e kaluar për 120 milionë euro, tifozët e Barcelonës kishin krijuar pritshmëri të larta, mirëpo francezi nuk ka arritur ta dëshmojë veten ende në Camp Nou, ku në javët e fundit i ka nisur ndeshjet në stol edhe kundër Sevillës dhe Athletic Bilbaos.

Duke e sqaruar vendin e Griezmannin në stol, përderisa Lionel Messi, Luis Suarez dhe Riqui Puig ishin titullarë në sulm, Setien tha: “Është e vështirë ta inkuadrosh atë në lojë pa e destabilizuar skuadrën”. Griezmann i ka shënuar tetë gola në La Liga dhe 14 gjithsej, mirëpo nuk ka arritur të kontribuojë me gol që nga shkurti. “E kuptoj që është e vështirë për Griezmannin të inkuadrohet në lojë kur ka mbetur kaq pak kohë. Do të flas me të nesër. Nuk do t’i kërkoj falje, sepse unë duhet të marr vendime të tilla”, shtoi Setien. “Por, unë e kuptoj që ia ndihet keq dhe unë ndihem keq për të sepse ai është një person dhe profesionist i mrekullueshëm”.