Shqipëria renditet ndër shtetet e Europës që ka nivelin më të ulët të vdekjeve në raport me popullsinë, sipas të dhënave të Eurostat dhe INSTAT.
Me 744 vdekje për 100 mijë banorë për vitin 2017, Shqipëria renditet me vdekshmërinë më të ulët nga shtetet e Europës (mungojnë të dhënat për Kosovën, Maqedoninë e Bosnjën) dhe gati sa gjysma e shtetit me vdekje më të larta në Europë.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Eurostat, me 1,631 vdekje për 100,000 banorë, Bullgaria kishte nivelin më të lartë të vdekjeve në BE në 2017. Ajo u pasua nga Rumania (1,488), Letonia (1,485), Hungaria (1,470) dhe Lituania (1,418).
Në fund të listës, renditen Zvicra dhe Spanja, me përkatësisht 824 dhe 844 vdekje për 100 mijë banorë.
Nga shtetet e rajonit, Serbia renditet e dyta në Europë, për nga niveli i lartë i vdekjeve, me 1,611 vdekje për 100 mijë banorë.
Lidhur me shkaqet e vdekjeve, në vitin 2017, sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut ishin shkaku kryesor i vdekjeve në të gjitha shtetet anëtare të BE-së, përveç në Danimarkë, Irlandë, Francë (të dhëna 2016) dhe Holandë ku ishte kanceri që mori më shumë jetë njerëzish.
Ndër shtetet anëtare të BE-së, përqindja më e lartë e vdekjeve për shkak të sëmundjeve të sistemit të qarkullimit të gjakut është vërejtur në Bullgari (66%) dhe më e ulëta në Danimarkë (23%), ndërsa përqindja më e lartë e vdekjeve për shkak të kancerit është vërejtur në Slloveni ( 32%) dhe pjesa më e ulët në Bullgari (16%).
Sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut dhe kanceret së bashku përfaqësuan më shumë se gjysmën e shkaqeve të vdekjeve, duke filluar nga 52% në Francë (të dhënat 2016) deri në 82% në Bullgari. Pas këtyre dy sëmundjeve, shkaku i tretë kryesor i vdekjes në shumicën e Shteteve Anëtare të BE-së ishin sëmundjet e sistemit të frymëmarrjes.
Edhe në Shqipëri, tendenca është si në pjesën më të madhe të Europës, ku sëmundjet e qarkullimit të gjakut janë shkaku kryesor i vdekjeve, me më shumë se gjysmën e totalit. Në vitin 2017, sipas INSTAT, vdekjet nga grupsëmundja “Aparati i qarkullimit të gjakut”, përbëjnë 53,7 % të vdekjeve gjithsej. Brenda këtij grupi, përqindjen më të lartë e zë vdekshmëria nga “Sëmundje të enëve të trurit” me 32,6 % dhe “Sëmundje kronike të zemrës” me 26,3 %.
Vdekjet nga grupsëmundja “Tumore” zënë 16,4 % të vdekjeve gjithsej, duke u renditur si grupi i dytë kryesor referuar numrit të vdekjeve të shkaktuara. Niveli i vdekshmërisë për këtë grup-sëmundje është 12,7 për 10 mijë banorë dhe ka një rritje prej 2,0 %,krahasuar me vitin 2016. Në grupin “Tumore” përqindjen më të lartë e zë nëngrupi “Tumore të aparatit të frymëmarjes”, me 33,5 %.
Nga zemra dhe tumoret ndodhin rreth 70% e vdekjeve në vend.
Në vitin 2017 është shënuar dhe niveli më i lartë i vdekjeve në vend. Të dhënat e tjera të INSTAT bëjnë të ditur se ky tregues u ul në 2019-n. Gjithsej në vitin 2017 humbën jetën në vend rreth 22.3 mijë persona, ndërsa në 2019-n rreth 21.9 mijë, duke bërë që norma e vdekshmërisë për 2019-n të zbresë në 768,6 vdekje për 100 mijë banorë (nga 744 në 2017-n).