Fituesit e mëdhenj të zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoninë e Veriut duket se do të jenë shqiptarët. Pas numërimit të rreth 95 përqind të fletëve të votimit partitë shqiptare në tërësi kanë siguruar 29 mandate dhe mund të marrin të 30-in.

Ky do të jetë numri më i madh i deputetëve shqiptarë që kanë hyrë ndonjëherë në Parlamentin 120 vendësh të Maqedonisë së Veriut.

Nga partitë shqiptare Bashkimi Demokratik i Ali Ahmetit, që në këto zgjedhje hyri me kartën e një Kryeministri shqiptar projektohet me 15 deputetë, ndjekur nga koalicioni i Aleancës së Shqiptarëve dhe Alternativa me 12, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare zhgënjeu dhe pritet që të marrë vetëm një mandat.

Ndërkohë, LSDM dhe koalicioni i udhëhequr prej saj ka një avantazh të lehtë prej rreth 1.5 përqind ndaj koalicionit të VMRO-DPMNE. Ky avantazh, kur janë numëruar rreth 95 përqind e fletëve të votimit i jep 46 mandate, dy apo tri më shumë se VMRO-DPMNE.

Në të gjitha rastet, pavarësisht se cila prej partive maqedonase renditet e para, do të ketë nevojë për shqiptarët për të ngritur një qeveri të qëndrueshme.