Komisioni i Sigurisë Kombëtare në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar Aktin Normativ për një shtesë në ligjin për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë. Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda tha se urgjenca për kalimin e këtij ligji qëndron në urgjencën që po kalon vendi në lidhje me pandeminë nga COVID-19.

“Siç e kemi parë është një epidemi, vala e së cilës vazhdon, mosha të prekura janë zakonisht mosha të treta, kjo mendoj se ishte një arsye urgjente për të sjellë këtë draftligj në formën e Aktit Normativ pranë Kuvendit të Shqipërisë”, tha ajo

Voda shtoi se “në fakt në zbatim të vendimit të sipërpërmendur për të shmangur grumbullimet e shtetasve për marrjen e shërbimeve në sportelet e zyrave të aplikimit për karta identiteti, atëherë kjo ishte dhe arsyeja që ne menduam që të shtymë afatin për të gjitha ata që u skadon brenda vitit 2020. Mendojmë se shmangia e grumbullimeve, radhëve apo dhe flukseve në fakt është patjetër një masë mbrojtëse që shkon në favor të situatës të krijuar nga epidemia” .

“Unë mendoj se ky parashikim është një masë parandaluese mbrojtëse por kryesisht për të ruajtur moshat e treta ata që janë më të prekur, që e kanë më të vështirë të lëvizin dhe për këtë arsye unë mendoj se ky projektligj, ku Akt Normativ do të ketë efekte në popullatën e vendit tonë. Kështu në thelb ky është qëllimi i këtij projektligji”, theksoi ajo.