E keni vënë re që koha ecën më shpejt në Instagram? Keni kontrolluar ndonjëherë se sa kohë shpenzon pas kësaj platforme? Aplikacione si Facebook, Pinterest dhe Snapchat kanë tendencën të na mbajnë sa më gjatë përpara telefonit. Kjo ndodh sepse të tilla produkte kanë si bazë të tyren një teknologji: Habit-forming.
Po çfarë është një habit (ves/zakon)? Një ves/zakon është zakonisht një veprim i shpejtë dhe i përsëritur, një impuls për të bërë një veprim të caktuar me pak ose aspak vetëdije. Për kompanitë përkatëse veprime si hapja e vazhdueshme e videove të YouTube (edhe në mënyrë automatike), scroll-i (shfletimi) i vazhdueshëm në Instagram etj., quhen “vese të mira”.
Si arrihet kjo? Nir Eyal, profesor në Universtitetin Stanford dhe autor i librit bestseller “Hooked: How to build habit-forming products” (via Medium), e shpjegon thjeshtësisht këtë nëpërmjet një cikli të përbërë nga: shkaku, shpërblimi, investimi dhe veprimi.
Si Instagrami dhe rrjetet e tjera sociale na bëjnë të varur 1. Shkaku Cila është arsyeja që ti je pjesë e këtyre platformave? Ti mbase nuk mban mend datën apo arsyen pse krijove një profil Instagrami, por me siguri e di që kur s’ke çfarë të bësh apo kur je i mërzitur/i lumtur hyn aty për të postuar, për të parë çfarë po ndodh me të tjerët etj. Për një arsye a një tjetër, tashmë ti je në këtë platformë. (Triggers/shkaqet më të forta përfshijnë: të ndjerit vetëm, i frikësuar, i pavendosur).
2. Shpërblimi Këtu hyn pa kuptuar tek shpërblimi; disa pëlqime dhe komente në Instagram, gjete këngën e preferuar në YouTube apo një foto interesante në Pinterest. Pa e kuptuar, more shpërblimin tënd të parë duke përdorur këto platforma.
3. InvestimiÇfarë pune u bë për të rritur gjasat e rikthimit të përdoruesit? Investimi i tyre është përmbajtja (content-i), i cili sikurse e dimë është i pafundëm, sepse tashmë atë e krijojnë vetë përdoruesit, të cilëve u pëlqen ajo që marrin dhe rikthehen përsëri. Investimi për ta është numri i ndjekësve, influenca apo edhe fitimi monetar.
4. Veprimi Përfshin gjithë tërësinë e veprimeve dhe interaktivitetin që përdoruesit kanë me platformat. Këto veprime janë hallka lidhëse e gjithë elementeve të ciklit, duke e bërë atë të vazhdueshëm rregullisht. Nir Eyal thotë se sjellja njerëzore është një shumatore e shkaqeve, aftësisë/mundësisë dhe motivimit. Nëse jemi të vetëdijshëm për këto, atëherë mund ta kontrollojmë mënyrën dhe kohën e përdorimit të të gjithë platformave të tipit Hooked dhe mos të lejojmë asnjërën prej tyre të pengojë sjelljen apo veprimet tona në jetën reale. Anabel/