Qeveria e Hong Kongut i shtyu zgjedhjet parlamentare të shtatorit për një vit, duke thënë se një gjë e tillë është e nevojshme për shkak të situatës së krijuar me koronavirus. Hong Kongu aktualisht po përjeton rritje të numrit të rasteve me koronavirus, ndërsa të premten raportoi 121 raste të reja. Megjithatë, opozita e akuzoi qeverinë për shfrytëzimin e pandemisë si pretekst, për t’i ndaluar njerëzit që të votojnë.
Të enjten, qeveria i ndaloi 12 kandidatë pro demokracisë që të garojnë në zgjedhje. Aktivistët e opozitës kanë shpresuar të fitojnë shumicën në Këshillin Legjislativ, në zgjedhjet e shtatorit. Kandidatët pro demokracisë kanë shënuar fitore të paparë në zgjedhjet e këshillave të qarqeve, vitin e kaluar, duke fituar 17 prej gjithsej 18.
Shefja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, tha se thirret në kompetencat e emergjencës për shtyrjen e zgjedhjeve. Zemërimi i opozitës në Hong Kong është i madh, prejse regjimi në Pekin ka miratuar, në fund të qershorit, një ligj të ri të sigurisë, i cili kriminalizon një mori veprash në Hong Kong. Sipas kritikëve, ligji mund të bëjë që protestuesit pro demokracisë në rajon të vuajnë dënime të përjetshme.
Hong Kongu ka qenë koloni e Mbretërisë së Bashkuar deri në vitin 1997, kur i është dorëzuar Kinës në bazë të sistemit “një shtet, dy sisteme”. Me këtë kornizë, qyteti i Hong Kongut ka pasur të drejta të veçanta që nuk i ka gëzuar pjesa tjetër e Kinës komuniste, por thuhet se Ligji i sigurisë kombëtare tani e dëmton atë./rel