Fermerët kuksianë kanë rritur interesin për të përfituar finanacim nga qeveria në zhvillimin e aktivitetit të tyre në sektorin bujqësor. Nga qarku i Kukësit kanë aplikuar 365 fermerë në Skemën Kombëtare të Mbështetjes për Bujqësinë 2020.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bëri të ditur për ATSH-në, se fermerët kanë aplikuar për një vlerë totale subvencionimi që kap shifrën e 54 milionë lekëve. Sipas të dhënave nga AZHBR, këtë vit ka pasur një interes të shtuar të fermerëve për të përfitur subvencione në bujqësi.

Në Skemën Kombëtare të mbështetjes në Bujqësi 2020 për të përfituar financim të drejtpërdrejtë nga 7 masat e mbështetjes, kanë aplikuar rreth 8 mijë fermerë. AZHBR njofton se fermerët e shpalluar fitues duhet të dorëzojnë dokumentet shtesë deri në datën 17 korrik 2020.