Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, ka insistuar se David de Gea është mentalisht mjaftueshëm i fortë për t’u kthyer fuqishëm në ndeshjen e rëndësishme kundër West Hamit nga gabimet që i bëri në ndeshjen kundër Chelseat. Portieri spanjoll është kritikuar për gabimet e tij në tre golat e Chelseat në ndeshjen e së dielës, në gjysmëfinalen e FA Cup, pasi edhe vetë trajneri Solskjaer e pranoi pas ndeshjes se De Gea mund ta kishte pritur më mirë goditjen e Mason Mount që përfundoi në golin e dytë të Chelseat, transmeton Gazeta Express.

Për shkak të edhe disa gabimeve të tjera që De Gea i ka bërë gjatë këtij sezoni, shumë tifozë kanë kërkuar që De Gea të largohet nga formacioni i parë për dy ndeshjet e mbetura në këtë sezon të Premierligës, pasi që ato do të jenë vendimtare për ëndrrën e Manchester Unitedit për kualifikim në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, i pyetur se a do ta mbajë De Gea pozitën e portierit të parë edhe për këto dy ndeshje – kundër West Hamit dhe Leicester Cityt – Solskjaer insistoi se nuk dëshiron të bëhej pjesë e këtij debati rreth De Geas.

“Kjo konferencë nuk do bëhet e gjitha për David de Gean. Ne thjesht do të qëndrojmë të bashkuar”, ka thënë Solskjaer. “David është mjaftueshëm i fuqishëm mentalisht që ta dijë se puna e tij është të performojë mirë në stërvitjet vijuese dhe të jetë gati për ndeshjes”. “Puna juaj është të flisni dhe të shkruani për këto gjëra, ndërsa puna ime është ta përgatis një skuadër për ndeshjen kundër West Hamit”. “Ne nuk do të flasim për individë sepse askush këtu s’do të shqetësohet se i kemi vendosur presion shtesë”.