Sotira dhe Leonard Proko janë dy fermerë, të cilët merren me vreshtari në Kaludh, afër Petranit në Përmet. Ata janë mbështetur nga AZHBR nëpërmjet skemës mbështetëse në bujqësi si përfitues me mbështetje në mbjellje, instalimin e ujitjes me pika dhe dorëzim prodhimi. Drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca ka qenë në Kaludh ku është takuar me ta.
“Në Kaludh, afër Petran në Përmet, Sotira dhe Leonard Proko merren me vreshtari. Janë të dy 72 vjeç dhe punojnë shumë. Po shumë marrin kënaqësi dhe motiv nga puna që bëjnë”, shprehet ajo. “Leonardi më thotë që Sotira është marrë gjithnjë me punë të rëndësishme dhe ka qenë udhëheqëse. E do shumë Sotirën, e sheh në dritë të syrit. Dhe në fakt kur e pyes Sotirën nëse është më me bereqet të merresh me vreshtari apo blegtori, përgjigjja e saj të shtang: blegtoria është pasuri e luajtshme, ndërsa vreshtaria pasuri e paluajtshme”, theksoi Krifca.
“Më herët familja është marrë me blegtori, dhe në vitin 2010 nisi që të kultivojë rrush. Kanë mbjellë 13 dynymë vreshtë, me varietet të ndryshme: Debinë, Riesling dhe Merlot. Për shkak të parcelave të vogla, e kanë të ndarë mbjelljen e rrushit në 3 parcela; 6 dynym janë mbjellë një vend, 7 në një vend tjetër dhe 1 dynym pranë shtëpisë. Prodhojnë rreth 150 kv rrush, por këtë vit thonë se do e tejkalojnë edhe më shumë sasinë, sepse rrushi këtë vit ka prodhim. Prodhimin ia shesin një kantine vere aty pranë”, nënvizoi Krifca. Krifca shtoi se, “për këto investime bujqësore janë mbështetur nga AZHBR nëpërmjet skemës mbështetëse në bujqësi si përfitues me mbështetje në mbjellje, instalimin e ujitjes me pika dhe dorëzim prodhimi”.