Numri i kërkesave për azil nga shtetasit shqiptarë në zonën Shengen vazhdoi të ulet për të katërtin vit radhazi, ku paraqitet një rënie prej 5% në 2019 krahasuar me 2018. Rovena Voda, zv.ministre e Brendshme, e kontaktuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare nënvizoi se vendi ynë ka bërë përparim sa i takon rritjes së rendit dhe sigurisë, si dhe kontrollit të lëvizjes së lirë. Zv.ministrja Voda e argumentoi këtë me raportin e Komisionit Evropian që ka publikuar për vendin tonë në datën 10 korrik 2020. “Komisioni Europian ka publikuar në datë 10 korrik 2020, Raportin e Tretë mbi Mekanizmin e Pezullimit të Vizave, i cili buron nga detyra e Komisionit për të monitoruar përmbushjen e vazhdueshme të kërkesave për liberalizimin e vizave nga vendet e treta që gëzojnë regjimin pa viza dhe që raportojnë pranë Komisionit të paktën një herë në vit mbi ecurinë në këtë kuadër”, – theksoi Voda.

“Raporti në vija të përgjithshme vlerëson se Shqipëria ka ndërmarrë veprime të cilat janë evidentuar në Raportin e Dytë të Komisionit dhe standardet e liberalizimit të vizave vazhdojnë të përmbushen dhe se ka përparim të mirë në zbatimin e veprimeve për të trajtuar migrimin e parregullt, përfshirë kontrollet e forcuara kufitare, por në të njëjtën kohë kërkon përpjekje të mëtejshme për të siguruar përmirësimin dhe qëndrueshmërinë e rezultateve, veçanërisht në lidhje me kërkesat e pabazuara për azil dhe luftën kundër krimit të organizuar”, – shtoi ministrja Voda.

Duke cituar raportin, Voda tha për ATSH se “numri i kërkesave për azil të paraqitur nga shtetasit shqiptarë në zonën Shengen vazhdoi të ulet për të katërtin vit radhazi, ku paraqitet një rënie prej 5% në 2019 krahasuar me 2018. Autoritetet shqiptare kanë forcuar përpjekjet për të rritur ndërgjegjësimin mbi të drejtat dhe detyrimet e regjimit pa viza, si dhe penalitetet për shkelje të këtyre detyrimeve. Shtetet anëtare të BE-së vlerësojnë bashkëpunimin e mirë të shtetasve të vet dhe atyre të vendeve të treta”. “Autoritetet shqiptare kanë forcuar gjithashtu bashkëpunimin operacional me shtetet anëtare të BE-së më të prekura nga migracioni i parregullt dhe aplikimet e pabazuara të azilit dhe përforcuan kontrollet mbi shtetasit shqiptarë që udhëtojnë jashtë vendit”, – theksoi Voda.

“Shqipëria është e para mes vendeve të Ballkanit Perëndimor që ka nënshkruar dhe operacionalizuar një Marrëveshje Statutore me FRONTEX”, – nënvizoi Voda. “Megjithë kufizimet nga pandemia COVID-19, operacionet në këtë kuadër vazhdojnë të japin rezultate të mira. Për sa i përket rendit dhe sigurisë publike, Komisioni Europian vlerëson më specifikisht se: Elementi kriminal shqipfolës vazhdon të jenë aktiv në një gamë të gjerë aktivitetesh kriminale në BE, megjithëse ato nuk mund të lidhen vetëm me Shqipërinë ose vetëm me shtetasit shqiptarë. Sipas Europol, shtetasit shqiptarë në mënyrë specifike janë ndër të dyshuarit më shpesh të raportuar mes vendeve jo pjesë e BE për vepra të rënda penale”, – sqaroi Voda.

“Shqipëria ka vazhduar të konsolidojë track-record dhe efektivitetin e përpjekjeve të saj në luftën kundër krimit të organizuar. Në këtë drejtim, autoritetet shqiptare kanë treguar vazhdimisht një angazhim të fortë për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit. Në shkurt 2019, Shqipëria miratoi një Strategji të re Kombëtare për Armët e Vogla dhe Armët e Lehta për periudhën 2019-2024. Një pikë fokale e armëve të zjarrit u krijua në Prill 2019, por ende mbetet për tu integruar plotësisht në strukturën e policisë për t’u bërë plotësisht operacionale”, – theksoi Voda, duke cituar raportin.

“Në 2018 dhe 2019, Shqipëria ndërmori një numër veprimesh legjislative për të përmirësuar kuadrin ligjor në fushën e korrupsionit. Trendi i përgjithshëm pozitiv sa i përket track-record-it të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër korrupsionit vazhdoi, megjithëse dënimet përfundimtare për zyrtarët e nivelit të lartë mbeten të rralla. Në janar të vitit 2020, qeveria shqiptare miratoi një paketë legjislative që prezanton masat parandaluese për të forcuar luftën e saj kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit, duke u përqendruar veçanërisht në sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale”, – sqaroi Voda.

“Një oficer ndërlidhës i Europol u vendos në Shqipëri në qershor 2019, dhe në korrik Europol hapi zyrtarisht Zyrën e Ndërlidhjes në Tiranë, e para në Ballkanin Perëndimor. Kjo ka forcuar më tej bashkëpunimin midis Shteteve Anëtare të BE-së dhe policisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar”, – vijoi Voda.

“Shqipëria ishte një nga vendet e para të Ballkanit Perëndimor që nënshkroi, më 9 tetor 2019, një Arranzhim dypalësh mbi luftën kundër terrorizmit me Komisionin, Shqipëria paraqiti raportin e saj të parë për zbatimin e Arranzhimit në qershor 2020. Parlamenti shqiptar pritet të shqyrtojë një projektligj për shtetësinë, i cili, nëse miratohet, mund të krijojë një bazë ligjore që mund të përdoret për krijimin e një skeme për shtetësinë e investitorëve”, – tha Voda.

“Në fund të Raportit, Komisioni adreson rekomandimet për arritje të mëtejshme, rezultatet e të cilave do të pasqyrohen në raportin e ardhshëm për Shqipërinë si më poshtë: Forcimi i masave për të adresuar migracionin e parregullt dhe kërkesat e pabaza të azilit të shtetasve shqiptarë, përfshirë identifikimin dhe adresimin e arsyeve kryesore dhe organizimin e fushatave të mëtejshme informative mbi të drejtat dhe detyrimet e udhëtimit pa viza”, – tha Voda.

“Ruajtja dhe forcimi i bashkëpunimit proaktiv operacional me Agjencitë e BE-së dhe me shtetet anëtare të BE-së që përballen me presionin migrator me origjinë nga Shqipëria, si dhe rendin publik dhe kërcënimet e sigurisë të paraqitura nga përfshirja e shtetasve shqiptarë në grupet e krimit të organizuar. Përmirësimi i efektivitetit të ndjekjeve penale dhe përpjekjet në zbatimin e ligjit në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimin e organizuar. Përmirësimi i track-record-it të rasteve në lidhje me pastrimin e parave/financimin e terrorizmit dhe përdorimin e plotë të mbështetjes së dhënë nga Komisioni për të forcuar kapacitetet në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”, – nënvizoi Voda për ATSH.