Mijëra studentë të huaj që vazhdojnë shkollën e lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të largohen nga vendi nëse mësimet do të zhvillohen online. Departamenti i Shtetit thotë se nuk do të lëshojë viza për studentët që janë pranuar në shkolla, të cilat operojnë plotësisht në internet.
Si masë për të frenuar përhapjen e Covid-19, Harvard do t’i mbajë të gjitha lëndët online në vjeshtë. Edhe universitete të tjera po ndjekin këtë metodë, e cila krijon një sfidë mjaft të madhe, kryesisht për ata që vijnë nga jashtë SHBA-së. Agjencia për Emigracionin njoftoi se studentët që posedojnë viza të caktuara mund të mos lejohen të hyjnë në territorin Amerikan.
Përpara pandemisë, nuk u garantohej hyrja në SHBA atyre që merrnin mësime vetëm online. Ndërkohë, një sfidë tjetër është dhe kthimi i studentëve në vendet e origjinës, pasi shumë prej tyre vijnë nga shtete që ndalojnë udhëtimet nga Shtetet e Bashkuara.