Niveli i antitrupave, i prodhuar nga trupi i njeriut pas infektimit me koronavirus, mund të ulet në mënyrë dras tike brenda disa muajsh, duke e ekspozuar organizmin përball një infeksioni të dytë të mundshëm. Ky është përfundimi shqetësues i arritur nga një studim i kryer nga “King’s College” mbi reagimin imunitar të mbi 90 ish-pacientëve.
Nga analizimi i të dhënave laboratorike të mbledhura gjatë muajve të fundit, studiuesit kanë parë sesi niveli i antitrupave arrin kulmin e tij pas rreth tre javësh nga fillimi i simptomave, dhe më pas zvogëlohet gradualisht, duke dobësuar kështu fuqinë e përgjigjes ndaj koronavirusit.
Tre muaj pas infektimit vetëm 17% e pacientëve ruajnë të njëjtën fuqi reagimi imunitar, i destinuar të ulet në raste të caktuara deri në zero. Sipas përfundimeve të shkencëtarëve të universitetit në Londër, virusi mund të kthehet për të infektuar të njëjtët njerëz përsëri, vit pas viti.
Dr. Katie Doores, shkencëtarja në krye të studimit britanik u shpreh se “nëse infeksioni gjeneron nivele të antitrupave kaq të kufizuara në kohë, edhe vaksina e ardhshme do të ketë teorikisht një kohëzgjatje të kufizuar”.