Humbja ndaj Milanit me shifrat 0-3 brenda në Olimpico ka demoralizuar jo pak Lazion që tashmë e sheh veten -7 pikë nga Juventusi kryesues.
Mungesat e Immobiles dhe Caicedos ndikuan në duelin ndaj kuqezinjëve, por edhe skuadra duket e dorëzuar pas asaj disfate, për t’u dhënë më shumë besim futbollistëve ka menduar drejtori sportiv Igli Tare.
Në një deklaratë për mediat italiane, zyrtari shqiptar i bardhekaltërve është përpjekur të inkurajojë futbollistët për të vazhduar deri në fund garën dhe për të mos u dorëzuar.
“Ju jeni të fortë, keni qenë të mrekullueshëm. Tani nuk është momenti të bëhemi pesimistë, por duhet të mendojmë për Leccen. Jeni të lodhur, pushoni dhe le të vazhdojmë sërish. Ju dhatë gjithçka! Nuk ka mbaruar asgjë akoma”, u shpreh nëpërmjet “Corriere dello Sport” Igli Tare.